Përhapja e koronavirusit në vendet fqinje ka nxitur institucionet e sigurisë shëndetësore të shtojnë masat dhe personelin shëndetësor në pikat kufitare.
Gazetari i ABC News, Bujar Muçmata raporton se në Morinë, tashmë janë stacionuar ekipet e njësisë vendore të shendetësisë, e që do të mbulojnë me shërbim 24 orësh këtë pikë të rëndësishme kufitare me nga dy punonjës për çdo turn.
Fatjon Zenelaj, epidemiolog pranë njësisë vendore të shendetësisë Kukës, thotë se situata është nën kontroll, dhe në këtë pikë kufitare ka patur edhe hyrje të personave nga vendet aziatike, por që pas kontrollit dhe verifikimit të dokumentacionit nuk kanë rezultuar të kenë udhëtuar në Kinë apo zonat e rriskuara nga koronavirusi.
“Pas shfaqjeve të rasteve në Itali, Task Forca ka vendosur të dyfishojë personelin në pikat kufitare dhe kjo gjë ka ndodhur. Kontrollet janë të vazhdueshme ndërsa i kushtohet më shumë rëndësi personave që vijnë nga harta e zonave të prekura. Deri tani nuk ka pasur asnjë rast të dyshuar. Ne jemi pajisur nga Ministria e Shëndetësisë me maska, termometrin për matjen e temperaturës në distancë, kemi gati dhomën e karantinës për çdo rast dyshimi, nuk na mungon gjë, kemi infrastrukturën e duhur. Kemi pasur ardhje të personave nga zonat e prekura, por nuk kemi pasur raste që kanë shfaqur koronavirus. Kemi pasur edhe shtetas kinez, por që nuk kanë udhëtuar nga Kina gjatë muajve të fundit”, tha mjeku Zenelaj.
Në Morinë, është ngritur infrastruktura e karantinës për raste që mund të rezultojne pozitive dhe po koordinohet me të gjitha institucionet e tjera shëndetësore në vend. Pika kufitare e Morinit mban numrin më të lartë të hyrje daljeve në shkallë vendi për vetë pozicionin gjeografik me Kosovën por edhe në rajon./abcnews.al

