PLOT 164 ULESE TE THYERA NE “ARENEN AIR ALBANIA”. STADIUMI VLERESON SE DEMTIMET ARRIJNE NE 16 000 EURO
Plot 16 000 euro dëme janë shkaktuar në “Arenën Air Albania” pas ndeshjes Kukësi-Tirana. Janë shkatërruar 164 ulëse, nga të cilat pjesa dërrmuese është dëmtuar nga tifozët kryeqytetas
Do të vinte dita që të ndodhte. Pasi u kënaqëm me lojën dhe emocionet e dhëna në fushë nga dy skuadrat, tashmë duhet të merremi me atë që ndodhi në tribuna.
Plot 164 ulëse u dëmtuan mbrëmjen e së shtunës në “Arenën Air Albania”, gjatë ndeshjes së Superligës, dhe burime në administratën e stadiumit bëjnë me dijë se dëmi financiar arrin në 16 000 euro.
Dëmtimet më të mëdha, madje në mënyrë të ndjeshme, u shkaktuan në tribunën jugore, aty ku ndodheshin tifozët e Tiranës, nj pjesë e të cilëve shkatërroi apo cenoi rëndë 145 stola.
Në tribunën përballë saj, atë të krahut verior, dëmtimi nga tifozët kuksianë ishte shumë më i vogël, me vetëm 19 ulëse.
Gjithçka është filmuar dhe fotografuar, pra janë të dokumentuara momentet e vandalizmit, kur tifozët kanë shkulur stolat, janë hedhur sipër tyre, dhe copat plastike I kanë hedhur në fushë, duke rrezikuar tifozë të tjerë, lojtarë si dhe zyrtarë të ndeshjes.
Kjo ishte hera e parë që Arena e përuruar në 17 nëntor në ndeshjen me Francën, pësoi dëmtime të tilla, por nuk besohet të jetë e fundit.
Federata Shqiptare e Futbollit e dënoi dhunën, dhe kërkoi nga Policia që të merrte masa për të ndaluar personat përgjegjës, e po ashtu të kryhet gjykimi i dënimi i fajtorëve sipas ligjeve të ashpërsuar muaj më parë.
Gjithsesi, edhe pse dhuna e tifozëve është problem rendi, ajo ka rrënjë më të thella. Sidomos në një vend si Shqipëria, ku pabarazia është rritur, punësimi është vështirësuar sidomos në biznesin e vogël, dhe cilësia e arsimit është cenuar për 30 vjet, dhuna e tifozëve është më së pari një problem shoqëror.
Ndërkaq, dëmi financiar në “Arenën Air Albania” do të shlyhet nga të dy klubet, sidomos nga Tirana…/abcnews.al