Albens Alite dhe Aksel Qurduka, dy ish-zyrtarë në Autoritetin Rrugor Shqiptar u morën në pyetje sot në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, lidhur me hetimet per abuzimin me fondet e rrugës Tiranë- Elbasan. Ata akuzohen për “shpërdorim detyre” dhe “korrupsion pasiv”.
Qurduka dhe Alite mohuan akuzat e ngritura nga Prokuroria, duke thënë se përfshirja e tyre në këtë çështje ka vetëm prapavijë politike.
Ndërkohë, dy të ndaluarit kërkuan që kjo çështje të shkojë deri në fund, pasi vetëm atëherë do të zbulohet e vërteta.
Të hënën pritet të merret në pyetje edhe ish-drejtori i Përgjithshëm i Rrugëve, Dashamir Xhika, mbi të cilin rendojnë të njëjta akuza.
Të tre u kallëzuan nga KLSH në vitin 2016 pas një auditi që zbuloi shkelje financiare. Po ashtu kallëzim paraqiti në Prokurori disa muaj më parë edhe Ministria e Infrastrukturës, auditi i së cilës konstatoi dëm në buxhetin e shtetit në vlerën 54 milionë dollarë./abcnews.al