Gjemania nuk është kthyer në synim vetëm për mjekët. Infermierët gjithashtu po largohen nga vendi. Tre vitet e fundit 3500 infermierë kanë ikur drejt Europës, SHBA-së dhe Kanadas ndërsa shumica e të rinjve në Fakultetin e Shkencave teknike mjekësor tregojnë se dëshirojnë të largohen sapo të përfundojnë studimet.
Studimet e larta i nisin me qëllimin për tu larguar nga Shqiperia. Bëhet fjalë për studentët e infermierisë e teknikët e shkencave mjeksore të cilët me përfundimin e shkollës së lartë synim kanë punësimin në Gjermani.
“Motra ime punon atje si infermiere dhe por pres të mbaroj shkollën të shkoj edhe unë. Kushtet janë më të mira, dhe rroga është më e lartë”, tregoi një nga studentet.
Gjermania tani është destinacioni i të gjithë studentëve”, u shpreh një tjetër studente.
Por ata që duan të ikin nuk janë vetëm të sapo dalët nga auditorët.
Presidenti i Sindikatës së Infermiermierëve të Shqipërisë tregon se nga spitalet tona po largohen dhe infermierë me përvojë. Tre vitet e fundit kanë ikur 3 mijë e 500 infermierë dhe destinacion i tyre nuk është vetëm Gjermania apo Europa.
“Jo vetëm në europë, por ikin në Kanada apo Amerikë. Në vitin 2019 nga të dhënat tona kanë ikur 1640 infermierë”, u shpreh ai.
Pagat më të ulëta në rajon e kushtet e punës janë arsyet kryesore të ikjes së infermierëve nga Shqipëria. Ndërkohë në fshatrat e vendit po ndjehet mungesa e tyre.
“Kemi filluar ta ndjejmë kryesisht në zonat rurale. Është grupimi profesional me pagat me të ulëta. Infermierët në Shqipëri marrin 150 euro më pak se ato në Kosovë. Infermierëve i mungojnë mjetet kryesore higjenike”, u shpreh më tej Presidenti i Sindikatës së Infermiermierëve të Shqipërisë.
Në Shqipëri 13 mijë infermierë shërbejnë në spitalet publike dhe private, ndërsa nga bankat e shkollës dalin rreth 1300 infermierë çdo vit, por nëse largimi i tyre nga vendi vijon më ritmin e 2019-ës, atëherë pas disa vitesh gjilpërat do të na duhet ti bëjmë vetë./abcnews.al