Trump shumë afër ndërtimit të murit me Meksikën

schedule12:33 - 9 Shkurt, 2018

schedule 12:33 - 9 Shkurt, 2018

Donald Trump ka kërkuar 3 miliard dollarë në buxhetin për 2018 lidhur me ndërtimin e murit në kufirin SHBA-Meksikë. Kjo është konfirmuar nga një zyrtar i administratës së tij që bën me dije se fillimisht do të ndëtohen 96 kilometra të murit. Ndërsa pjesa tjetër vitin e ardhshëm.

Projektbuxhet i presidentit amerikan, Donald Trump, që do të zbulohet të hënën, do të përfshijë një kërkesë për 3 miliardë dollarë si një paradhënie për ndërtimin e murit përgjatë kufirit me Meksikën. Kjo është bërë e ditur nga një eksponent i lartë i administratës së Shteteve të Bashkuara. Zyrtari, i cili informoi një grup të vogël gazetarësh me kusht anonimiteti, tha se paratë do të shkonin në blerjen e tokës private në Luginën “Rio Grande” në jug të Teksasit dhe për blerjet e para të çelikut.

Administrata Trump shpreson të ndërtojë 96 kilometra të një pengese të re metalike përgjatë kufirit jugor me financimin e 2018-ës me një shtesë prej 103 kilometrash, ndërtimi I së cilës do të bëhet në buxhetin e 2019-ës. Shuma prej 3 miliard dollarësh do të jetë kryesore në kërkesën prej 14 miliardë dollarësh të Agjencisë Amerikane të Doganës dhe Mbrojtjes së Kufirit.

Ndërtimi i murit është një ndër premtimet kryesore të Trump në fushatën e tij presidenciale të 2016-ës. Ai është zotuar se do të detyrojë Meksikën të paguajë për të. Por qeveria meksikane insiston se nuk ka ndërmend të pranojë një kusht të tillë. Nga ana tjetër edhe demokratët kundërshtojnë ndërtimin e murit. Për këtë, Trump i ka akuzuar duke thënë se duan të lejojnë emigracionin e paligjshëm dhe trafikun e drogës. Ndërtimi i murit do të fillojë në zona që përdoren nga emigrantët për kalim të paligjshëm në SHBA, thotë zyrtari.

Ndërkohë, financimi i murit është përfshirë në debatin për mënyrën se si do të mbrohen të rinjtë “Dreamers”, emigrantë që kanë mbërritur në SHBA në mënyrë të paligjshme që në moshë të vogël. Trump ka ofruar mbrojtje nga deportimi për “Dreamers” dhe një mënyrë për të fituar shtetësinë deri në 12 vite, në këmbim të një financimi prej 25 miliardë dollarësh për ndërtimin e murit si dhe masa shtrënguese kundër emigracionit të paligjshëm. Por këto kushte nuk janë pranuar nga demokratët./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!