Shqipëria mblodhi rreth 1.15 miliard euro nga Konferenca e Donatorëve që u zhvillua më datë 17 shkurt në Bruksel.
Gjatë ditëve pas konferencës pati spekulime mbi sasinë e saktë të granteve dhe kredive të ofruara për vendin tonë.
Gazetarja e Abc News, Erisa Zykaj ka zbuluar tabelën zyrtare të Konferencës, në të cilën zbulohen me detaje shumat që kanë premtuar vendet.
Sipas tabelave zyrtare, donatorët i premtuan Shqipërisë 1.152.175.199 euro. Nga këto, 853 milion euro janë angazhim i vendeve të ndryshme për t’i ofruar Shqipërisë kredi me kushte të lehtësuara, ndërsa vet 295.7 milion euro janë grante. Ndërkohë, vendet kanë ofruar edhe 3.4 milion euro ndihmë në mallra. Kjo ndihmë u dha fill pas tërmetit të 26 nëntorit.
Vlen të theksohet fakti se shumën më të madhe të granteve dhe kredive e kanë dhënë Komisioni Europian, vendet e Bashkimit Europian si edhe BERZH-i me 444 milion euro.
Nga këto, 154.4 milion euro janë grante dhe pjesa tjetër gatishmëri për të dhënë kredi.
Ndërkohë si shtet, vendin e parë për grante e mbajnë Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat kanë ofruar 70 milion euro dhe 0 euro kredi. Në vend të dytë vjen Turqia, e cila ka ofruar 44 milion euro grant dhe asnjë euro kredi dhe në vend të tretë është Gjermania duke ofruar 11 milion euro grante.
Këto janë para, të cilat Shqipëria nuk do të duhet t’i kthejë mbrapsht.
Ndërkohë, Franca ka ofruar 61 milion euro, nga të cilat vetëm 1 milion euro janë grant, kurse pjesa tjetër kredi.
Italia gjithashtu ka ofruar 91 milion euro, nga të cilat 5 milion euro janë grante, kurse 86 milion janë kredi.
Dhanë më shumë grante:
1-Emiratet e Bashkuara Arabe, 70 milion euro
2- Turqia, 40 milion euro
3-Gjermania, 11 milion euro
Dhanë më shumë kredi:
1-Banka Islamike për Zhvillim, 383 milion euro
2-Banka Botërore, 106 milion euro
3- BERZH, 100 milion euro
4- Banka Europiane për Investim, 100 milion euro
5-Italia, 86 milion euro
6-Franca, 60 milion euro
Më poshtë, abcnews.al sjell tabelnn e plotë me detaje për fondet që ka ofruar secili vend: