Presidenti i vendit Ilir Meta një ditë pasi bëri thirrje për protestë masive në Bulevard përpara Kryeministrisë, ka dhënë edhe arsyet se pse duhet të dalin shqiptarët në protestë. Përmes një statusi në facebook, Meta shprehet se “Rilindja kërkon me çdo çmim të pushtojë Gjykatën Kushtetuese, dhe të instalojë diktaturën në vend”. Sakaq, ai sulm edhe ndërkombëtarët, duke u shprehur se “nuk ka forcë në botë t’i kthejë shqiptarët 30 vite pas për të zbrazur Shqipërinë dhe për t’ia dorëzuar mafies ndërkombëtare të ardhmen e Atdheut”.
Statusi i plotë i Ilir Metës
Të dashur qytetarë të Republikës së Shqipërisë!
Agresioni pushtues i Rilindjes ndaj të gjithë institucioneve të pavarura në vend është një realitet i hidhur që secili prej jush e ndjen çdo ditë. Por kokëfortësia e saj për të pushtuar me çdo çmim dhe në mënyrë jo vetëm antikushtetuese por edhe mafioze Gjykatën Kushtetuese përbën qartë një grusht shteti, me qëllim instalimin e një diktature të pakicës që ka tmerr nga liria e popullit shqiptar dhe kërkon të zhdukë çdo mundësi demokratike për ndryshim dhe llogaridhënie.
Ndaj ju ftoj të gjithëve në 2 Mars, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” t’i japim paralajmërimin e fundit kësaj bande që nuk ka ditë që nuk përdhunon Kushtetutën dhe ligjet e vendit.
Nuk ka forcë në botë t’i kthejë shqiptarët 30 vite pas për të zbrazur Shqipërinë nga rinia jonë e mrekullueshme dhe për t’ia dorëzuar mafies ndërkombëtare të ardhmen e Atdheut tonë.
Ndaj në 2 Mars të bëjmë një Besëlidhje të Re për t’ia kthyer sovranitetin e humbur popullit shqiptar dhe rivendosur demokracinë, llogaridhënien dhe sundimin e Kushtetutës.
Shqipëria e para!
Shqiptaria e shqiptarëve!
/abcnews.al
Lexo edhe: Meta publikon videon: Është mirë të mos e provojë askush kokëfortësinë time!