Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar dërgimin në gjykatën kushtetutese të marrëveshjeve të arritura me Serbinë, nëse gjykohet se ato nuk janë në përputhje me kushtetutën e vendit. Arbër Zaimi, këshilltar I Albin Kurtit, komentoi gjithashtu për ABC Neës se pse nuk pati një takim midis Kurtit dhe ambasadorit Grenell në Munih. Intervistën e plotë me Arbër Zaimin do ta ndiqni sonte në emisionin Ballkan.
Arbër Zaimi, këshilltar politik I kreut të Vetëvendosjes Albin Kurti, kryeministër I Kosovës, ka komentuar në një intervistë për emisionin Ballkan mungesën e kryeministrit Kurti në nënshkrimin e marrëveshjeve midis Kosovës dhe Serbisë për hekurudhat dhe autostradat.
“Pse duhet të ndodhë kjo pa njoftimin e dikasterit përkatës dhe të vetë kryeministrit, por përmes zyrtarëve të cilët janë të nivelit të ulët. Nuk janë zyrtarë të nivelit të lartë. Marrëveshje të tilla do të duhej megjithatë të shqyrtoheshin dhe të konsultoheshin brenda dhe kështu do të ndodhë në të ardhmen. Pse ka ndodhur kështu është për shkak të një precedenti të gabuar të krijuar nga qeveria e kaluar”, shprehet ai.
Zaimi komenton gjithashtu faktin që nuk pati një takim midis Kurtit dhe ambasadorit Grenell në Munih.
“Sa I përket zotit Grenell, zoti Kurti është shprehur që zoti Grenell ka sjellë një energji të re për dialogun dhe ne jemi edhe si subject politik, por sigurisht edhe qeveria e Kosovës, të interesuar për një marrëdhënie sa më të mirë dhe me të dërguarit amerikanë Grenell dhe Palmer për Ballkanin Perëndimor, por edhe me faktorët e rëndësishëm të BE-së përsa I përket Ballkanit Perëndimor. Dhe po punojmë ngushtë me ta”, vijon ai.
Zyrtari i Vetëvendosjes lë të hapur mundësinë që për marrëveshjet e arritura me Serbinë, për të cilat qeveria e re mendon që nuk janë në përputhje me kushtetutën, mund ti drejtohen gjykatës kushtetuese.
“Nëse janë në përputhje me ligjin, ato do të jenë funksionale, nëse nuk janë në përputhje me ligjin dhe me kushtetutën, ato nuk anullohen nga qeveria, por nga vetë fakti që nuk janë në përputhje me ligjin dhe kushtetutën. Është njësoj si marrëveshja dikur për ujrat në Shqipëri, e cila u nënshkrua nga institucionet qeveritare, por në momentin që u gjet që nuk ishte në përputhje me kushtetutën, nuk hyri në fuqi, nuk mori vlerë. Pra, nuk mund të ketë marrëveshje që nuk janë në përputhje ose janë lidhur në mënyrë që nuk përputhet, bie në kontradiktë me ligjin themelor të vendit, që është kushtetuta”, përfundoi Zaimi.
Ndiqni intervistën e plotë, dhënë për emisionin Ballkan në Abc News