Atalanta do të zhvillojë nesër ndeshjen më të rëndësishme të historisë së saj. Klubi italian po përjeton një ëndërr dhe do të tentojë me çdo kusht fitoren e ndeshjes së parë kundër Valencias.
Në duelin që do të luhet në “San Siro” pritet të jenë të pranishëm dhjetëra mijëra tifozë në mbështetje të Gjimshitit me shokë. Gian Piero Gasperini, trajneri i Atalantës, që vazhdon prej kohësh të luajë një futboll fantastik, analizon sfidën, kundërshtarin dhe ndalet te skuadra e tij gjatë konferencës për shtyp.
ATMOSFERA – “Suksesi ynë i parë i madh është fakti që shumë njerëz do të jenë në ‘San Siro’ për këtë sfidë, por nuk kënaqemi me kaq. Jemi këtu për të luajtur një ndeshje që e presim prej kohësh. Nesër është ndeshja e parë, e dimë që nuk është e lehtë, por duam të marrim një rezultat pozitiv. Duhet të futemi në fushë me emocione pozitive, nuk duhet të na dridhen këmbët nga fakti që kemi 70 ditë që presim këtë ndeshje”.
VALENCIA – “Futbolli spanjoll është një futboll elite. Do të jetë një përballje e nivelit të lartë, edhe pse nuk përballen skuadrat e para të kampionateve respektive. Valencia ka disa mungesa, por kanë një kontingjent të larmishëm. I kemi studiuar mirë, të njëjtën gjë do të kenë bërë edhe ata me ne. Shpresoj të arrijmë një rezultat pozitive, që do na lejonte të luanim për dy rezultate në kthim”.
FORMACIONI – “Unë varem gjithmonë nga kundërshtari dhe skema e tyre taktike. Valencia ka cilësi dhe defekte si çdo skuadër tjetër. Kanë fituar me Ajax, Chelsea dhe e kanë mbyllur grupin e tyre në vend të parë, janë një skuadër me vlera. Duhet respekt dhe përulësi. Atalanta ime do të luajë e lirshme, pa presion, sipas stilit tonë, por pa e humbur ekuilibrin. Ndeshja e parë është e rëndësishme, por jo thelbësore për kualifikimin. Duhet të jemi të kujdesshëm dhe të përqendruar”.
OBJEKTIVI – “Kemi mundësinë për t’u kualifikuar në çerekfinalet e Champions League, por duhet të tregojmë respekt për kundërshtarët. Flitet pak për Valencian, por ne e mendojmë ndryshe. Përpara se të flasim për çerekfinalet, duhet ta sigurojmë kualifikimin në fushë”. /abcnews.al