Të paktën 2500 kinezë të cilët kishin shkuar për të festuar ditët e vitit të ri në vendin e tyre kanë nisur të kthehen në zonën e Toskanës në Itali. Presidenti i rajonit të Toskanës, Enrico Rossi tha se pjesa më e madhe e shtetasve kinez që jetojnë në këtë zonë po vjen nga provinca e Zhejiang, vendi i katërt për numrin e rasteve të diagnostikuar me koronavirus.
Posaçërisht për kthimin e kinezëve, në Firenze është hapur një qendër speciale për trajtimin e tyre. Sipas të dhënave nga autoritetet italiane bëhet fjalë për rreth 2.000 persona, banues në Prato dhe 500 në Firenze. Referuar të dhënave të paraqitura nga presidenti i Toskanës, në provincën kineze të Zhejiang rezultojnë 1162 raste infektimi me koronavirus, por nuk ka pasur asnjë viktime.
Ndërsa në provincën e Wuhan, ku shpërtheu fillimisht epidemia rastet janë 54.400 dhe numri i viktimave 1.400. Megjithatë, për guvernatorin Italian, ende nuk ka arsye për alarmim, sepse raste të reja me Koronavirus të ardhur nga Kina nuk janë zbuluar.
Ndërkohë, Ministri i Punëve të Jashtme, Luigi Di Maio është duke organizuar një fluturim për të rikthyer në Itali 35 italianët e bllokuar në një anije kroçierë, e cila aktualisht ndodhet e ndaluar në Japoni./abcnews.al