Kuvendi “zhveshi” Metën nga kompetencat, Ngjela: Në betimin e gjyqtarëve presidenti është kukull

schedule12:27 - 16 Shkurt, 2020

schedule 12:27 - 16 Shkurt, 2020

Në nëntor të 2019, Ilir Meta refuzoi të kryente në Presidencë betimin e gjyqtares Arta Vorpsi si anëtare të re të Gjykatës Kushtetuese. Kuvendi iu referua renditjes së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi kur e cilësoi Vorpsin automatikisht anëtare të Kushtetueses, pasi kreu i Shtetit nuk propozoi një tjetër emër për këtë pozicion.

Kjo përplasje institucionale ishte edhe arsyeja që Komisioni Hetimor në Kuvend zgjeroi objektin e hetimit për Ilir Metën, ndërkohë që kushtetueshmërinë e veprimeve po e vlerësojnë edhe ekspertët e Venecias. Këtë të mërkurë, Kuvendi vendosi t’ja heqë Presidentit të drejtën ekskluzive për të bërë betimin e gjyqtarëve, duke e konsideruan betimin e gjyqtarëve dhe Prokurorëve një akt formal.

Sipas avokatit Spartak Ngjela, Kuvendi me këtë veprim nuk ka zhveshur Presidentin nga kompetencat, por e ka ndalur atë të bëj shkelje të tjera kushtetuese.

“Presidenti u vetëzhvesh, sepse bëri shkelje të rënda kushtetuese. Nuk ke të drejtë të thuash nuk pranoj të bëj betimin. Në këtë pozicion të betimit presidenti është kukull, kukulla nuk flet, por vetëm vendos: “merr vendimin dhe ik”, deklaroi Ngjela.

Sipas avokatit, Ilir Meta në këtë përplasje është i kompromentuar për shkak se ai vetë është objekt i një procesi hetimor nga Kuvendi.

 “Është “çmendur” presidenti. Ka frikën e interesit të vet sepse është nën hetim dhe nëse do të shkarkohet nga parlamenti do të shkojë në Gjykatën Kushtetuese”, u shpreh ai.

Ngjela sqaron se është në të drejtën e Kuvendit të ndërhyjë sa herë që sheh tendenca për bllokim të institucioneve nga kushdo, qoftë ai edhe Presidenti i Republikës.

“ Një president i nivelit të lartë i cili e nxjerr veten të larë, të pafajshëm, nuk do të ndalonte procedurën, të cilat e rendojnë edhe më shumë. Kishte një shkelje tani i ka bërë tre dhe të treja i ka bërë në funksion të vetes”, tha më tej Ngjela.

Ligji i miratuar nga qeveria ka mbërritur tashmë në Presidencë dhe do të jetë vetë Ilir Meta ai që do të shprehet me dekret për të kufizuar ose jo kompetencat e tij./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!