Ndryshimi i sistemit zgjedhor, dorëzohet kërkesa për referendum në KQZ

schedule14:59 - 14 Shkurt, 2020

schedule 14:59 - 14 Shkurt, 2020

12 aktivistë të shoqërisë civile i janë drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të marrë autorizim për të zhvilluar një referendum për sistemin zgjedhor. Kristaq Kume dhe Brizida Gjikondi, dy prej nismëtarëve shpjegojnë për ABC News se pse ky sistem zgjedhor nuk përfaqëson qytetarët, por forcon kryetarët e partive.

 “Ky sistem nuk arrin të barazojë fuqinë e votës në konvertimin në mandate deputetësh”,-thotë Kume.

“Për të nxjerrë një deputet në qarkun e Kukësit duhen 14 mijë vota, ndërsa për një deputet në qarkun e Vlorës duhen 9 mijë vota”,-shpjegon Brizida Gjikondi.

Qytetarët nuk pyeten se cilin sistem do të preferojnë, por a janë dakord se aktuali duhet të ndryshojë.

“Ne shfrytëzuam një hapësirë, edhe pse ajo është shumë pesimiste, referendumin. T’i shkojmë deri në fund kësaj hapësire për t’i pyetur ne shqiptarët nëse janë dakord me këtë sistem zgjedhor aktual ose jo, meqë këtë pyetje nuk po e ushtron kjo klasë politike, e cila nuk po i përfill”,-tha Gjikondi.

Nga ana tjetër, Kristaq Kume sqaron: “Nuk është një referendum kushtetues, sepse ne nuk kërkojmë që populli të shprehet për amendim të Kushtetutës. Ne kërkojmë që populli të shprehet nëse është dakord ose jo që të bëhet ky ndryshim në Kushtetutë, dhe pastaj për tu bërë një ndryshim në Kushtetutë është tjetër rrugë”.

Në këto kushte, nëse referendumi do të zhvillohet, do të ishte sërish në dorë të politikët të merrte ose jo në konsideratë rezultatet.

“Nuk vendos ndryshimin që duhet bërë në Kushtetutë, por vendos që klasa politike duhet të trajtojë ndryshimin, duke e kanalizuar atë”,-thotë ish kryetari i KQZ-së, Kristaq Kume.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të zhvillojë një mbledhje për të vendosur nëse do tu japë apo jo nismëtarëve formularët tip për të mbledhur firmat.

“KQZ kontrollon nga ana formale kërkesën: a janë ëta 12 nismëtare zgjedhës? A ka kërkesa ndonjë qëndrim të shprehur të komisionit nismëtar për çështjen në fjalë apo jo? A është kjo një kërkesë për ndryshimin e një ligji, për shfuqizimin e një ligji aktual apo është kërkesë për një çështje të një rëndësie të veçantë ”,-tha Bledar Skënderi, anëtar i KQZ-së gjatë një interviste për ABC News.

Nëse KQZ ndez dritën jeshile, nismëtarët duhet të mbledhin 50 mijë firma dhe komisioni verifikon vërtetësinë e tyre. Më tej panorama duket pesimiste, pasi në lojë futet Gjykata Kushtetuese.

“KQZ-ja njofton njëkohësisht Presidentin e Republikës dhe Gjykatën Kushtetuese, e cila brenda 60 ditëve duhet të shprehet me një vendim nëse referendumi është i ligjshëm apo jo,”-sqaron Bledar Skënderi.

Vështirësitë për t’ia dalë i njohin dhe vetë nismëtarët.

“Referendumet në thelb janë të pabëshëm, dhe janë qëllimisht të tillë, dhe janë me dashje, që shqiptarët të mos marrin pjesë askund”,-thotë Brizida Gjikondi.

Në Shqipëri janë zhvilluar tre referendume, 1994, 1997 dhe 1998, dy për Kushtetutën dhe një për sistemin republikë apo monarki./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!