Seanca e Kuvendit është shoqëruar me debate mes kryetarit Gramoz Ruçi dhe deputetit të LSI-së, Ralf Gjoni.
Ruçi ka përjashtuar nga seanca deputetin e opozitës së re. Teksa ky i fundit po fliste sipas tij për dështimin e Reformës në Drejtësi dhe kapjen e shtetit nga mazhoranca, kryeparlamentari ndërpreu fjalën. Sipas Ruçit, Gjoni ishte jashtë rendit të ditës dhe i kërkoi të lironte foltoren.
Mirëpo, deputeti nuk i është bindur urdhërit të Rucit dhe pas disa paralajmërimeve kryeparlamentari e ka përjashtuar nga seanca plenare.
“Të të vijë turp, komunist. E ke kthyer Kuvendin në pronë private”, është dëgjuar Ralf Gjoni t’i drejtohet kryetarit të Kuvendit, pasi ky i fundit e përjashtoi për 10 ditë nga parlamenti.
Debati:
Gramoz Ruçi: Zoti Gjoni të lutem, ke kohë që nuk po flet për ligjin, do të ndërpres fjalën
Ralf Gjoni: Zoti kryetar, unë jam brenda temës, nuk keni të drejtë të më ndërprisni fjalën. Po flas për ligjin.
Gramoz Ruçi: S’po flet për ligjin. Po flet për ligjet e institucioneve, por jo për ligjin në fjalë. Tagrin e kam unë. Ju ndërpres fjalën.
Ralf Gjoni: Ti nuk e ke tagrin për ta vlerësuar
Gramoz Ruçi: Uluni!
Gjoni: Harrojeni, s’ma ndërprisni dot fjalën.
Gramoz Ruçi: Ulu poshtë. Ulu. Ulu të mos marr masë se e ke zaptuar foltoren, edhe njëherë po të tërheq vërejtjen.
Gjoni: E ke pronën tate ti këtë?
Gramoz Ruçi: Ulu. Po të tërheq vërejtjen dhe njëherë. Po të paralajmëroj se do të përjashtoj nga seanca. Nëse do të vazhdosh të mbash foltoren do të përjashtoj për 10 ditë.
Ralf Gjoni: Unë pres që të mbajë fjalën. Zoti Kryetar nuk kam mbaruar fjalën, kjo nuk është pronë private e jotja.
Gramoz Ruçi: Do të përjashtoj nga seanca!
Gjoni: S’më përjashtoni dot!
Gramoz Ruçi: Rregullorja jo unë. Se kur zapton dy minuta foltoren, përjashtohesh nga seanca.
Ralf Gjoni: Nuk është normale kjo. Kjo është turp e faqe e zezë! Turp!
Gramoz Ruçi: Ulu mos të përjashtojë nga seance
Gramoz Ruçi: Kur dy minuta zapton foltoren, përjashtohesh nga seanca
Gjoni: Kjo është e padrejtë. Regjia hapni mikrofonin.
Gramoz Ruçi: Sipas nenit 65 pika b, nëse deputeti vazhdon të mbajë të zaptuar foltoren pas vërejtjes, deputeti Gjoni përjashtohesh nga seanca
Ralf Gjoni: Komunist, shikoni simbolin e komunizmit! Nuk ke turp!
Gramoz Ruçi: Zoti Gjoni jeni i përjashtuar nga seanca, nëse nuk zbaton urdhrin, do t’i kërkoj sekretariatit përkatës të përjashtohesh 10 ditë nga séance. Dil nga seanca! Dil përjashta
Gjoni: Ju nuk meritoni…Zoti Ruçi më shihni në sy…Ju jeni tradhtar.
Gramoz Ruçi: Dilni nga seanca
Ndërhyn nga vendi Kujtim Gjuzi: O kryetar…
Gramoz Ruçi: Gjuzi mos fol se do të përjashtohesh edhe ti, të është hequr e drejta e fjalës, të mësohesh me rregull.
Gjuzi: Punë e madhe…
Ruçi-Gjuzit: Nëse flet dhe ti do përjashtohesh. Duhet të mësohemi me rregull.
Ndërhyn Gjoni: Kujt do ti mësosh rregullin ti mo? Komunist
Gramoz Ruçi: Dil përjashta!
Gjoni: Pse të dal përjashta? S’ke turp s’ke, komunist. S’më intimidon fare.
Gramoz Ruçi: I kërkohet sekretariatit për procedura, votimet dhe etikën, marrjen e masës disiplinore, përjashtim të deputetit me 10 ditë nga seanca
Gjoni: Të kesh turp.
/abcnews.al