“Bllokoni targat e mjeteve të blinduara”, Sandër Lleshaj urdhër të prerë drejtorëve rajonalë

schedule14:58 - 11 Shkurt, 2020

schedule 14:58 - 11 Shkurt, 2020

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj në momentin kur të gjithë strukturat e policisë, Shërbimit Inteligjent, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë po merren me operacionin “Forca e Ligjit”, duke kaluar në sitë të gjithë mjetet luksoze ka kërkuar nga Drejtoria Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor që të pezullojnë çdo targim të mjeteve të blinduara, që hyjnë rishtas në Shqipëri, dhe njëkohësisht të mos rinovojnë asnjë dokument.

Drejtori i Shërbimit të Transportit Rrugor në Durrës, Kreshnik Ternova,  në një prononcim për mediat ka bërë me dije se udhëzimi sqaron se personat që e disponojnë një mjet të tillë duhet të paraqiten në Ministrinë e Brendshme dhe është kjo e fundit që do t’i pajisë me leje të veçantë, nëse duan të kryejnë procedurat e targimit dhe të pajisjes me leje qarkullimi.

Gjithashtu në udhëzimin e dërguar, nga ministri Lleshaj konstatohet se mjetet e blinduara posedohen nga individë me precedentë penalë dhe vihet re mungesë informacioni në rastet e ndërrimit të pronësisë së këtyre mjeteve apo edhe problematika të tjera.

Ndërkohë deri më tani nuk ka asnjë raport zyrtar në lidhje me numrin e mjeteve të blinduara, që qarkullojnë në rrugët e Shqipërisë, sepse nuk është mbajtur një database për to./abcnews.al