Koronoravirusi, situata në Kinë dhe oferta e Tiranës: Rrëfehet Albi Alla

schedule08:33 - 11 Shkurt, 2020

schedule 08:33 - 11 Shkurt, 2020

Albi Alla rinovoi një muaj më parë kontratën me kinezët e Shaanxi Chang’an Atheltic deri në vitin 2023. 1.5 milion dollarë do të fitojë mbrojtësi nga Pogradeci në tre vitet e ardhshme, teksa ndalet te situata e krijuar me koronoravirusin në një prononcim për Panorama Sport.

27-vjeçari shpjegon situatën që po ndodh në vendin e madh aziatik dhe çfarë i kanë kërkuar drejtuesit e klubit. Në fund një koment për Tiranën. Bardheblutë e tentuan në merkaton e janarit, Alla e konfirmon dhe tregon se pse nuk u rikthye në Superiore.

“Aktualisht ndodhem në Greqi te familja ime. Sa i përket virusit, nga informacionet që kam nga Kina, njerëzit aty nuk e kanë marrë aq me stres këtë situatë. Thjesht janë shumë të kujdesshëm në kontaktet me njerëzit e tjerë.

Unë nuk jam i shqetësuar. Nuk besoj se do të arrijë kjo situatë deri në prishjen e kontratës me klubin kinez. Ne si lojtarë japim çdo ditë raport te mjeku i ekipit për gjendjen shëndetësore. Nga ato që më kanë thënë shokët e ekipit, situatën nuk e kanë marrë me aq frikë siç po raportohet në Europë. Po vazhdojnë jetën normale, edhe pse me shumë kujdes. Mundohen të mos kenë shumë kontakte me njerëz të tjerë.

Te qyteti që jam nuk e di të ketë shqiptarë të tjerë. Për aq sa kam qëndruar aty, nuk kam takuar asnjë bashkëkombës. Drejtuesit? Bisedoj vazhdimisht me ta, më kanë thënë të vazhdoj stërvitjen individualisht deri sa të mbarojë kjo situatë. Pastaj, sapo të na njoftojnë, do të iki prapa në Kinë për t’iu bashkuar ekipit. .

Tirana? E vërtetë që ka pasur interes nga Tirana dhe u jam mirënjohës për këtë. Nuk kam folur unë personalisht me klubin, por agjenti im, Franci Bode. Gjithsesi, interesi im kryesor ishte të qëndroja jashtë Shqipërisë dhe për disa vite akoma, prandaj rinovova kontratën me klubin“, përfundon mbrojtës shqiptar. /abcnews.al