I kemi marrë nga Kina dhe tashmë po i dërgojmë sërish në Kinë. Bëhet fjalë për maskat kirurgjikale. Nga një vëzhgim i Abcnews.al rezulton se kërkesa e lartë këto kohë ka bërë që në disa prej farmacive në Tiranë të mos gjesh maska kirurgjikale. Kinezët që jetojnë në vendin tonë, por dhe shqiptarët po blejnë maska në sasi të konsiderueshme me qëllim dërgimin e tyre jashtë vendit.
Frika nga koronavirusi me origjinë nga Wuhan-i ka shtuar interesin për maska dhe tek kompanitë shqiptare. Abc News ishte në një farmaci në Tiranë, ku farmacistja Erisa Petro, tregon se tregon se “vetëm një porosi ka shkuar në 5 mijë copë”.
Mungesa e maskave dhe pajisjeve të tjera mbrojtëse në të gjithë botën u paraljamërua dhe nga Organizata Botërore e Shëndetësise gjatë një konferencë për përhapjen e koronavirusit në Gjenevë.
“Kërkesa është deri në 200 herë më e lartë se normale dhe si pasojë çmimet janë deri në 20 herë më të larta. Situata është përkeqësuar nga përdorimi masiv dhe i papërshtatshëm i tyre. Si rezultat stoqet janë varfëruar dhe ka vonesa të prapambetura prej 4 deri në 6 muaj”, tha Tedros Adhanom Ghebreyesus, drejtor i OBSH-së.
Maskat që kërkohen kryesisht janë ato respiratore N95 të cilat bllokojnë të paktën 95% të grimcave të vogla dhe përdoren në spitale apo industri të cilat në tregun shqiptar nuk janë shumë të përhapura.
Drejtori i OBSH i cili iu kërkoi shteteve dhe kompanive të bashkëpunojnë për të siguruar një përdorim të drejtë dhe racional të furnizimeve me këto pajisje dhe dekurajoi garën për maska në vendet ku transmetimi i virusit është i ulët. Shqipëria sipas Ministrisë së Shëndetësisë është një ndër keto shtete nderkohë që e ulët është dhe kultura e përdorimit të maskave mbrojtëse tek qytetarët. /abcnews.al