Gati dy javë pas aksidentit të tmerrshëm, ku mbetën të vdekur Kobe Bryant, vajza e tij dhe shtatë persona të tjerë, ende nuk ka një arsye se pse ndodhi përplasja e helikopterit. Ishte data 26 janar ku helikopteri i legjendës së basketbollit u përplas me malin Calasabas, e cila ishte fatale për ta.
Mbrëmjen e djeshme kanë dalë disa foto të reja nga “National Transportation Safety Board”, ku tregohet momenti i përplasjes së helikopterit. Imazhet janë pikërisht disa momente përpara përplasjes fatale, ku më pas helikopteri u përfshi nga flakët. Në një prononcim kreu i “National Transportation Safety Board”, Robert Sumëalt deklaroi disa informacione të reja mbi aksidentin.

“Hetuesit tanë kanë mbledhur një sasi të konsiderueshme provash lidhur me rrethanat e kësaj përplasje tragjike. Jam i bindur se aksidenti nuk ndodhi për shkak të një defekti mekanik. Shumë shpejt do të jemi në gjendje të përcaktojmë shkakun si dhe çdo faktor tjetër të mundshëm që çoi në përplasjen e helikopterit, për të parandaluar që aksidente si këto të mos ndodhin më. Mbetjet nga helikopteri i shpërthyer u gjenden në lartësinë 180 metra dhe të gjitha pjesët e rëndësishme ishin aty,” deklaron Sumëalt.
Gjithashtu dhe një dëshmitar i çasti ka dhënë versionin e tij. Ai është një çiklist i zonës dhe ishte shumë pranë vendit ku ndodhi aksidenti. “Dëgjova një zhurmë të madhe. Zhurma sa vinte bëhej më e madhe dhe kur ngrita kokën lart pashë një helikopter të bardhë me blu. Po lëvizte shumë shpejt në një trajektore të çuditshme. Filloi të rrotullohej në ajër në mënyrë të frikshme. Nuk zgjati shumë sekonda dhe ai ra në një largësi prej 50 metrash nga unë,” deklaron çiklisti. /abcnews.al

