Koreja e Veriut përdor ambasadën në Gjermani për të blerë pjesë për programin bërthamor

schedule13:35 - 4 Shkurt, 2018

schedule 13:35 - 4 Shkurt, 2018

Koreja e Veriut ka përdorur ambasadën e saj në Gjermani për të blerë pjesë për të ndërtuar raketat e saj bërthamore. Konfirmimi ka ardhur nga vetë shefi i inteligjencës gjermane.

Koreja e Veriut ka marrë teknologjinë për programet dhe armët e saj bërthamore nëpërmjet ambasadës së saj në Berlin. Kështu të paktën thotë kreu i inteligjencës së Gjermanisë. Hans-Georg Maassen i tha “NDR TV” se shumë prej këtyre aktiviteteve ishin penguar, por jo të gjitha ishin zbuluar. Ai nuk tregoi se çfarë lloj teknologjie ishte blerë, por nënvizoi se mund të përdoret për qëllime civile dhe ushtarake.

Koreja e Veriut ka vazhduar të zhvillojë raketa dhe armë bërthamore në kundërshtim me sanksionet ndërkombëtare. Një raport i OKB-së të premten tha se ka fituar afro 200 milionë dollarë vitin e kaluar duke eksportuar mallra të ndaluar dhe implikuar disa vende duke përfshirë Kinën, Rusinë dhe Malajzinë.

“Ne kemi vërejtur se ka pasur shumë aktivitete prokurimi nga ambasada”, tha Maassen, në një intervistë. “Nga këndvështrimi ynë, ata ishin për programin e raketave, por gjithashtu pjesërisht për programin bërthamor. Kur i shohim gjëra të tilla, ne i ndalojmë ato, por nuk mund të garantojmë që ne të shohim dhe të bllokojmë çdo përpjekje”, shtoi ai. Koreja e Veriut ende nuk i është përgjigjur komenteve të Maassen.

Një investigim i veçantë nga transmetuesi publik “ARD” tha se agjensia e inteligjencës së Gjermanisë ka zbuluar shenjat e para të përpjekjeve të Koresë së Veriut për të blerë teknologji dhe pajisje në 2016 dhe 2017. Ndërkohë, një panel ekspertësh i OKB-së ka gjetur prova se Koreja e Veriut po ndihmonte Sirinë për të zhvilluar armë kimike, si dhe i ka ofruar Mianmarit raketa balistike. Zbulimet vijnë në mes të tensioneve mbi përparimet e shpejta të Koresë së Veriut në programet e armëve bërthamore dhe konvencionale, të cilat kanë arritur pikën më të lartë në vite.

Testi i fundit i raketave balistike, më 28 Nëntor, nxiti një seri të re sanksionesh nga OKB, duke synuar dërgesat e benzinës dhe udhëtimet për koreanoveriorët. Testet e vazhdueshme kanë shkaktuar gjithashtu një luftë fjalësh midis Presidentit amerikan Donald Trump dhe udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong-un./abcnews.al