Presidenti Ilir Meta , gjatë vizitës së Tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u prit në një takim të përzemërt në Senatin Amerikan, nga Senatori Republikan Ron Johnson, Kryetar i Komisionit për Sigurinë Kombëtare dhe i Nën-Komisionit për Europën.
Kreu i shtetit në këtë takim ka vlerësuar mbështetjen e SHBA në rrugëtimin strategjik të Shqipërisë.
“SHBA janë partneri strategjik, i pazëvendësueshëm i Shqipërisë dhe shqiptarëve. Shqipëria beson në angazhimin e domosdoshëm të SHBA në Ballkanin Perëndimor, si faktor kyç për paqen, sigurinë, stabilitetin dhe konsolidimin e demokracisë dhe të shtetit ligjor”, ka thënë Meta.
Gjithashtu presidenti është ndalur edhe tek çështja e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, ku ka theksuar se marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të prodhojë paqe, stabilitet dhe siguri afatgjatë në rajon duke pasur SHBA-në dhe BE-në si garantues.
Sipas Metës Shqipëria mbetet e vendosur në angazhimet e saj përkrah SHBA dhe NATO-s në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe çdo akti që vë në rrezik stabilitetin dhe paqen në botë.
Presidenti Meta kërkoi mbështetjen e Senatorit Johnson për marrëveshjen e heqjes të taksimit të dyfishtë midis Shqipërisë dhe SHBA, që do të sillte lehtësira në fushën e tregëtisë dhe investimeve.
Ndërkohë Senatori Johnson nga ana e tij i shprehu kënaqësinë për takimin me Presidentin Meta dhe njëkohësisht angazhimin për të kontribuar në rritjen e vëmendjes në Senatin e SHBA për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera midis dy vendeve tona./abcnews.al