Rreth 985 milionë euro është fatura e dëmeve nga tërmeti i 26 nëntorit, ndërsa rindërtimi kërkon edhe rreth 90 milionë euro më shumë, që shkon në total rreth 1.08 miliard euro. Me këtë faturë qeveria shqiptare do të shkojë në 17 shkurt në Bruksel ku do të zhvillohet konferenca e donatorëve e organizuar nga Komisioni Europian për Shqipërinë pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit, që la mijëra të pastrehë dhe 51 viktima.
I ftuar në “ABC e mëngjesit” me Enkel Demin, eksperti i ekonomisë Dritan Shano u shpreh skeptik sa i përket menaxhimit të situatës pas tërmetit. Ai theksoi se nxjerrja e faturës së dëmeve pas kaq shumë kohësh tregoi paaftësinë e shtetit shqiptar.
“Nuk e di sa do të jemi në gjendje të organizojmë këtë shifër monstruoze. Dimri do të marrë një formë edhe më agresive, nuk e di se si do të organizohen personat e strehuar në çadër. Praktikisht njerëz sot po ndjejnë dhimbjen, nxjerrja e faturës pas kaq shumë kohësh është një nga paaftësitë e shtetit. Shpatullat e ekonomisë shqiptare nuk e përballojnë dot. Jemi në një situatë emergjente, kjo është një emergjencë kombëtare, një pjesë e popullsisë së Shqipërisë është goditur nga një fatkeqësi natyrore që tashmë është në rrugë. Nuk mund të ketë shpenzime të tjera joesenciale për zgjidhjen e këtij halli. Duke qenë se jemi pjesë e botës, nuk ka pse të mos përfitojmë kur ka një problem, por duhet të tregojmë ne të parët që kemi bërë sforcon maksimale me paratë që qeveria ka në buxhet, por thotë se PPP do ti vazhdojmë”, theksoi Shano.
Paraja e lirë në buxhetin e shtetit është paraja që alokohet për investime publike dhe duhet të shkojë atje ku janë njerëzit e prekur nga tërmeti dhe duhet të shkojë atje ku duhet të zgjidhet problemi.
Më tej ai u shpreh se tërmeti i vërtëtë në këtë vend është qeveria që i grumbullon paratë e të gjithë shqiptarëve dhe ia jep vetëm 15 vetave. “Kemi arritur në një regjim oligarkik, derisa këtu të mbeten sa me pak njerëz”, tha Shano./abcnews.al