“Jam këtu për të bërë diferencën dhe për të fituar titullin kampion”. I qartë Christian Eriksen, i cili ka dhënë një intervistë për Gazzetta Dello Sport, ku flet për shumë tema dhe derbin e kësaj fundjave me Milanin. Fillimisht ai shkurtimisht flet për rivalitetin me Juventusin dhe bisedën që ka pasur me trajnerin Antonio Conte, para transferimit në Itali.
“Juventusi ka fituar shumë prej një kohe të gjatë dhe ne duam ta ndryshojmë këtë gjë. Është edhe Lazio lart, së bashku me ne”, shprehet Eriksen. Më tej ai pranon se seancat stërvitore me italianin janë të forta, si dhe bisedën që ka pasur me të.
“Kam folur me Conte para se të vija në Milano. Ai ishte shumë i drejtpërdrejtë me mua. Më tha se si më sheh mua dhe çfarë kërkon prej meje në fushë, me dhe pa top. Conte luan me tre në mesfushë dhe është pak ndryshe. Gjithsesi më e rëndësishmja është që të kem mundësi të krijoj shanse për sulmuesit”.
OBJEKTIVI – Eriksen nuk i fshihet përgjegjësive tek Interi: “Nuk e ndjej peshën e përgjegjësisë. Përgjatë viteve të fundit te Tottenham dhe te Danimarka përherë më është kërkuar të marr përgjegjësi. Jam mësuar me diçka të tillë. Asgjë nuk ndryshon në këtë aspekt edhe tek Interi.
Dua të jem ai lojtari që bën diferencën, që shënon dhe krijon raste. Më duhet kohë dhe kjo është e qartë, edhe pse në futboll nuk mund të të presin gjatë derisa ti të bëhesh vendimtar. Dua gjithçka rreth futbollit, veç humbjeve”.
DERBI ME MILANIN – Në të shkuarën Eriksen e ka parë derbin e Madonnina në TV dhe këtë javë do e përjetojë në fushë. “Kam parë disa derbi të Milanit dhe Interit në TV më parë. Tani do ta luaj dhe është krejtësisht ndryshe. Pres një tjetër atmosferë nga ajo që kam përjetuar në Londër. Këtu do të këndojë i gjithë stadiumi, do të ketë shumë zhurmë dhe do të jetë shumë bukur.
Çfarë më tremb nga Milani? Shoku im, Kjaer. Flas shumë me të. Jo, asgjë nuk më tremb. Jemi në një pozicion më të mirë, por në një derbi mund të ndodhë gjithçka. Nuk ka rëndësi kë zgjedhin ata për të luajtur kundër nesh. Përballja me Ibrahimovic? Unë dhe Zlatan jemi shumë të ndryshëm. Ai është mësuar më shumë me këto lloj ndeshjesh, kurse unë po e provoj për herë të parë”, është shprehur Eriksen. /abcnews.al