CR7 mungoi në miqësoren koreane, dy tifozët dëmshpërblehen me 285 euro

schedule15:56 - 4 Shkurt, 2020

schedule 15:56 - 4 Shkurt, 2020

Juventusi zhvilloi një miqësore verën e kaluar në Korenë e Jugut kundër një skuadre që përbëhej nga lojtarët më të mirë të kampionatit vendas. Ndeshja u mbyll në barazim 3-3 dhe ajo që ra në sy ishte mungesa e Cristiano Ronaldos.

Ylli i bardhezinjve kishte një shqetësim muskulor dhe nuk zbriti asnjë minutë në fushë. Kjo gjë ka sjellë acarimin e dy tifozëve të zjarrtë të lojtarit portugez. Ata kanë paditur agjencinë që organizoi miqësoren dhe kërkojnë dëmshpërblim për reklamim të rremë.

Gjykata e Incheonit u ka dhënë të drejtë dy tifozëve të acaruar prej faktit që nuk shijuan duke luajtur idhullin e tyre. Agjencia që organizoi ndeshjen, e njohur me emrin The Fasta, do t’u paguajë nga 282 euro të dyve.

Rreth 65 mijë tifozë ishin të pranishëm në stadiumin e Seulit në ndeshjen e korrikut, aty ku biletat kushtonin nga 23 në 300 euro. Agjencia kishte një kontratë me kampionët e Italisë, ku parashikohej që CR7 të luante të paktën 45 minuta. Problemi muskulor nuk e bëri të mundur diçka të tillë, por në vendin aziatik kanë një tjetër shqetësim. Të tjerë tifozë janë gati të padisin agjencinë për reklamim të rremë dhe kjo pritet të sjellë pasoja të tjera financiare. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!