Armando Cungu, trajneri i Laçit, pas ndeshjes së fituar me Skënderbeun foli në emisionin “Gol pas Goli”. “E nisëm mirë këtë vit, me dy fitore dhe një barazim. Dy ndeshje të vështira jashtë, sikurse edhe në shtëpi që e kishim detyrim të fitonim për të qenë në ekipet kryesuese. Vuajtëm në 20 minutat e fundit.
Pjesa e parë nuk ishte e qartë, prisnin të na kundërsulmonim. Pjesa e dytë ishte ndryshe, jo vetëm se shënuam. E kërkuam më tepër, lëvizëm dhe patëm raste. Në fund, edhe prej dëmtimeve, vuajtëm. I komplimentoj djemtë”.
“E kemi nisur me rezultatet dhe lojën, por kemi qenë pa fat me dëmtimet dhe kemi pasur viroza. 3-4 lojtarë nuk kanë luajtur dot dhe nuk janë pak jo vetëm për një ekip si Laçi. Me rëndësi është që po marrim pikët dhe shpresoj të kthehen djemtë”.
“Çdo sulmues ka momentet e tij. Ai nuk ka ngërç, po jep kontributin e tij dhe po merren pikët. Do vijë momenti dhe do shënojë, duke qenë i rëndësishëm për skuadrën”.
“E thashë edhe më parë, kishin ardhur të mbroheshin. Nuk kishte hapësira dhe për këtë ardsye na vunë në vështirësi për të shkuar te goli. Në këto kushte ekipi e humbi durimin dhe bëmë gabime në manovrat sulmuese. Me Gripshin, i shpejtë dhe teknik, tentuan të na vënë në vështirësi. E rëndësishme është që fituam dhe ky ishte objektivi”.
“Shumë mirë që më pyesnim, por nuk më pyet njeri kur pësojmë gola pozicion jashtë loje apo na japin penallti kundër. Pamja aty nuk është e qartë, nuk e dimë sa ka qenë forca e ndërhyrjes. Ua lëmë personave që janë kompetentë për këtë punë”.
“Domgjoni kërkoi largimin, ne nuk i pengojmë. Edhe klubi përfiton financiarisht. I urojmë suksese në skuadrën e tij. Sa i takon sulmuesit, nuk jemi të qartë. CV e ka pasur, por duhet parë në vazhdim. Ka pak shkëputje me minutat e luajtura. Ka luajtur në nëntor dhe normalisht do kohë. Atëherë do jepnim një gjykim më të ftohtë”. /abcnews.al