Heqja dorë e Glauk Konjufcës nga posti i kryeparlametnarit ka qenë edhe çelësi për arritjen e koalicionit ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Vendin e tij pritet ta zë Vjosa Osmani, ndërkohë Konjufca është propozuar nga Kurti si kandidat për Ministër i Punëve të Jashtme.
Megjithatë derisa të votohet Konjufca si ministër i ri, ai do të vazhdojë të jetë kryetar i Kuvendit. Një gjë të tillë e ka pohuar edhe Vjosa Osmani, e cila ka shpjeguar edhe procedurën.
“Sa i përket Konjufcës, ai do të largohet nga pozita e tij pas ti të zgjidhet ministër. Sepse mandati i tij përfundon në momentin kur të zgjidhet ministër. Në momentin që votohet për ministër, pozita e tij mbetet vakante. Por kur do të ndodh kjo, do të mbetet në koordinim të grupeve tona parlamentare”, ka thënë ajo duke potencuar se nuk do të ketë vonesa për këto ndërrime postesh.
Sa i përket bashkëpunimit me Listën Serbe, Osmani ka thënë se për një gjë të tillë duhet pyetur Albin Kurti, megjithatë ka theksuar se partia e Goran Rakiqit edhe nëse nuk do të jetë pjesë e koalicionit kanë të drejtë të ketën ministrin e tyre.
“Për Listën Serbe do të merrni më shumë detaje nga mandatari për kryeministër. Ata edhe pse sjanë pjesë e koalicionit, kanë të drejtë të kenë ministirn e tyre në kabinet qeveritar. Ata duhet ta shohin ditën e sotme, si ditë që përmes votës do të realizojnë interesat e tyre në Kosovë. Ne synojmë që të gjitha komunitetet ti bëjmë të ndihen të barabarta, sepse këto të drejta ua kemi garantuar me Kushtetutë”, ka shtuar tutje Osmani.
Sipas saj është koha që minoritetet të votojnë pro qeverisë.
Në fund Osmani ka thënë që është e lumtur që një pjesë e madhe e programit qeverisës së prezantuar nga Kurti është hartuar nga LDK’ja.
“I gjithë programi i propozuar sot është program i hartuar bashkarisht. Unë jam ndier krenare sot që mandatari për kryeministër ka prezantuar një pjesë të madhe të programit që unë e kam prezantuar para qytetarëve të Kosovës”, ka thënë ndër të tjera Osmani./Express/