Ismet Abdurramani, 70-vjeç ka humbur jetën pasditen e kësaj të diele në Shkodër. Mësohet se banesa e tij u përfshi nga flakët si pasojë e shpërthimit të bombolës së gazit.
Gazetari i Abc News në Shkodër, Simon Shkreli raporton se flakët përfshinë apartamentin në katin e 5-të të një pallati në lagjen Zdrale, në rrugën “Isuf Sokoli”.
Në vendin e ngjarjes ka mbërritur policia dhe dy makina zjarrfikëse. Ata kanë punuar për shuarjen e flakëve, por nuk kanë arritur të shpëtojnë kryefamiljarin Ismet Abdurramani. Ai është nxjerr i pajetë nga banesa.
Burimet thanë se Abdurramani jetonte me gruan, por në momentin kur ka ndodhur ngjarja, bashkëshortja nuk ishte në banesë.
Njoftimi i policisë
Më datë 02.02.2020, në orën 19:20, në lagjen “Ahmet Haxhija” Shkodër, ka rënë zjarr në katin e pestë të një pallati, në banesën e shtetasit I. A. 70 vjeç, i cili si pasojë e zjarrit dhe tymit, ka ndërruar jetë.
Shërbimet e zjarrfikëses kanë vënë në kontroll flakët dhe po punojnë për shuarjen e plotë të zjarrit, si dhe kanë bërë të mundur nxjerrjen e trupit të 70 vjeçarit duke e dërguar në morgun e Spitalit Rajonal Shkodër
Shërbimet e Policisë kanë evakuar banorët me qëllim mos lëndimin apo asfiksimin e tyre nga tymi.
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor ku vijon punën për sqarimin e shkakut të rënies së zjarrit.
/abcnews.al
*Foto nga vendi i ngjarjes