I pyetur se çfarë do të bëjë opozita në vazhdim, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edmond Spaho, është shprehur në ABC News se do të ketë një protestë tjetër të madhe si ajo e 27 Janarit.
“Ne e kemi parë me kujdes mesazhin që dhanë qytetarët në 27 Janar. Pjesëmarrja masive ishte mesazhi që ne duhet të qëndrojmë. Do të ketë protestë tjetër të madhe si ajo e 27 Janarit. Po hidhet ideja që të ketë protesta edhe në qytete të tjera. Data nuk është përcaktuar, por do të ulemi të bisedojmë me aleatët dhe me LSI-në, që është bashkuar me fronin opozitar”, u shpreh Spaho.
Spaho tha gjithashtu se nuk përjashtohet as mundësia e djegies së mandateve si një lëvizje për të gjetur zgjidhje.
“Një hap i tillë është i mundshëm. Unë nuk e përjashtoj si një lëvizje për ta tensionuar situatën politike për të gjetur një zgjidhje pa Edi Ramën në qeveri”, përfundoi kreu i grupit parlamentar të PD.