Patrick Schick la Romën në verë dhe zgjodhi të vazhdonte karrierën te Leipzig, aty ku ka shënuar 4 gola në kampionat deri tani. 24-vjeçari sqaron për të përditshmen çeke Denik ndryshimin midis Bundesligës dhe Serie A, teksa ndalet edhe tek aventura e re me kryesuesit e kampionatit gjerman.
“Këtu në Gjermani jam gjithmonë në humor të mirë. Nuk ndodh kurrë që tifozët të na fishkëllejnë, edhe kur nuk luajmë mirë. Ata përpiqen gjithmonë për të krijuar një atmosferë fantastike. Edhe në Itali tifozët e mbështesin ekipin e vet, ndryshimi është që këtu stadiumet mbushen plot.
Jam shumë i lumtur me mënyrën se si më kanë pritur te Leipzig, jam ndjerë mirë që në fillim. Skuadra është e re dhe kemi të gjithë të njëjtin objektiv. Këtu jam i përqendruar vetëm te futbolli, nuk shqetësohem nga gjëra të tjera“, thekson Patrick Schick. /abcnews.al