Duro: U mërzita që na dështoi një transferim, për Cooper jam skeptik

schedule12:39 - 1 Shkurt, 2020

schedule 12:39 - 1 Shkurt, 2020

Shpëtim Duro, trajneri i Kukësit, ka dalë në konferencë për shtyp dhe ka folur për ndeshjen e radhës me Flamurtarin, merkaton dhe rivalët. Në sfidën e kësaj jave ai nuk do të ketë të gatshëm mesfushorin Eduart Rroca, i cili ka pësuar një dëmtim në kavilje që e lë jashtë fushave të blerat për të paktën 10 ditë.

Duro është i sinqertë sa i takon merkatos, teksa thekson se sulmuesin Godberg Cooper nuk e njeh dhe nuk është se i pëlqen fakti që ai nuk ka luajtur dhe në një moshë të re ka ndryshuar shumë skuadre. Tekniku i Kukësit gjithashtu pranon se Demo ka qenë objektiv i tyre, sikurse edhe Gondry Sudi Bibonge. Madje për këtë ta fundit ai shprehet me bindje se në Superiore do të bënte diferencën, edhe pse ende nuk i ka mbushur 18 vjeç.

FLAMURTARI – “E kam theksuar që çdo ndeshje ka rëndësinë dhe historinë e vet, sikurse kjo me Flamurtarin. Pavarësisht pozicionit që kanë ata, ne duhet të japim maksimumin. Janë në fund, por kanë lojtarë me përvojë brenda. I njoh mirë atë. U kanë hapur probleme edhe skuadrave të tjera. Kështu që ne e vlerësojmë maksimalisht këtë sfidë dhe Flamurtarin”.

SHKËPUTJA NGA RIVALËT – “Nuk mendoj për shkëputjen, por të fitojmë këtë ndeshje. Për mua kjo ëshët e rëndësishme. Më pas të shohim rezultatet e skuadrave të tjera dhe ndeshjet në vazhdim”.

FRIKA E NEGLIZHIMIT – “Këto janë ndeshje që duhen interpretuar për t’u fituar. Edhe në Gjirokastër nuk ka pasur neglizhim nga skuadra. Duhet interpretim tjetër për të arritur të fitojmë dhe të realizojmë objektivin. Nuk ka tolerime. Patjetër këtu e kam frikën, pasi nuk është njëlloj si të luash në ambiente të tilla siç luajtëm me Partizanin dhe Tiranën. Ndaj them se duhet interpretim për të marrë maksimumin”

LËVIZJET E JANARIT – “Sot mund të flas për merkaton, pasi është mbyllur. Do them ato që kam për të thënë. E kam theksuar se nuk ka nevojë për ndërhyrje shumë. Doja vetëm zëvendësime për Kitanovksin dhe Dakun. Që në fillim kisha piketuar Demon prej një muaji dhe kishim shpresa deri në fund. Nuk u la i lirë nga Luftëtari. Para një muaji i kam kërkuar kongolezin e talentuar klubin. Këtu do bënte diferencën. Jam shqetësuar dy ditë më parë, kur erdhi përgjigja negative për vizën. Kisha informacion të plotë për të dhe kishim rënë dakord me klubin dhe lojtarin. Këto dy lojtarë kërkova, kjo është situata.

Sulmuesin që ka ardhur nuk e njoh, kanë pasur kontakte drejtuesit. Mbetet ta shohim. Unë nuk para marr lojtarë pa i parë vetë. Drejtuesit e klubit kanë rënë dakord me menaxherin. Jam skeptik, pasi është lojtar i ri që ka bërë shumë lëvizje. Këto nuk më pëlqejnë, ndërkohë që gjithashtu nuk ka minuta të plota. Shpresoj të jetë lojtar që na bën punë”.

RIVALËT – “Skuadrat me emër do të jenë rivalë të fortë deri në fund, siç janë Tirana, por edhe Partizani që është prapa. Këto i shoh si kandidate, pa i mohuar të drejtën për të pretenduar edhe Bylisit dhe skuadrave të tjera, që ua lejon renditja”, ka përfunduar Duro. /abcnews.al