Ndeshja e fundit në Staples Center në Los Angeles ishte ndryshe nga herët e tjera. Më pak se një javë pas vdekjes së legjendës së NBA, Kobe Bryant, së bashku me vajzën e tij, Gianna, dhe shtatë persona të tjerë të pranishëm në helikopter, LA Lakers hyri në Staples Center për të luajtur kundër Portland Trail Blazers.
Trëndafila të kuq u vendosën në vendet ku Kobe dhe Gianna u ulën në ndeshjen e Los Angeles Lakers – ekipi ku Bryant ndërtoi karrierën e tij – kur qenë të pranishëm për herë të fundit. Përpos trëndafilave, në karrige u vendosën edhe fanellat përkatëse të Kobe Bryant dhe të bijës 13-vjeçare.
Atmosfera elektrizuese që përshkon arenën përpara ndeshjeve të NBA nuk ndihej askund. Pjesa më e madhe e të pranishmëve mbanin veshur bluza me dedikimet për Mamba-n e Zezë.
Të gjithë lojtarët e LA Lakers u paraqitën me fanella me numrat 8 dhe 24, numrat që Bryant mbajti gjatë karrierës 20-vjeçare në ekip. Të dy numrat 8 dhe 24 ndodhedhin në qendër të sallës.
LeBron James, përpara se t’i dedikonte një fjalim Kobe Bryant, shprehu ngushëllime për shtatë njerëzit e tjerë që humbën jetën. Emrat e tyre u shfaqen në monitor.
“Unë e di se në një moment do të kemi një memorial për Kobe,” i tha LeBron turmës. “Por unë dua ta shoh si festë këtë ndeshje sot.
“Kjo është një festë për njëzetë vitet me gjak, djersë dhe lot; ulje, ngritje, orë të panumërta, vendosmëri për të qenë aq i madh sa ishte. Sonte, ne festojmë për atë djalin e ri që erdhi këtu në moshën 18-vjeçare dhe u tërhoq kur ishte 38 vjeç dhe u bë babai më i mirë që kemi patur këto tre vitet e fundit. Sonte është një festë.”/abcnews.al