Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka paralajmëruar një përshkallëzim të sulmeve të Ukrainës ndaj infrastrukturës energjetike dhe industrisë së naftës në Rusi.
Zelensky tha se sulmet ukrainase do të përqendrohen veçanërisht te rafineritë e naftës dhe objektet që gjenerojnë të ardhura për financimin e luftës ruse.
Sipas presidentit ukrainas, kjo është përgjigjja e Kievit ndaj valës së re të sulmeve ruse kundër infrastrukturës energjetike dhe qyteteve ukrainase.
Por presidenti ukrainas pretendon se Kievi nuk synon të ndjekë të njëjtën strategji që, sipas tij, po përdor Rusia ndaj Ukrainës.
Sipas tij, inteligjenca ukrainase ka siguruar dokumente që tregojnë për një ndryshim të strategjisë ruse përpara dimrit. Zelensky pretendon se gama e objektivave mund të zgjerohet duke përfshirë infrastrukturën, logjistikën, rrugët, shkollat dhe spitalet.
Në sfondin e këtyre zhvillimeve, lufta po hyn në një fazë ku infrastruktura energjetike po bëhet gjithnjë e më shumë pjesë e drejtpërdrejtë e betejës.
Kievi ka goditur vazhdimisht rafineri, depo karburanti dhe objekte të tjera energjetike në territorin rus, ndërsa Moska ka intensifikuar sulmet me raketa dhe dronë ndaj rrjetit energjetik ukrainas.
Për Ukrainën, goditja e industrisë së naftës ruse synon të dëmtojë një prej burimeve kryesore financiare të luftës.
Por paralelisht me luftën në terren dhe sulmet ndaj infrastrukturës, vazhdon edhe përplasja diplomatike.
Zelensky kritikoi sërish presidentin rus Vladimir Putin, duke argumentuar se përpjekjet për të negociuar me të rrezikojnë të kthehen në një proces pa fund.
Ndërkohë, një tjetër kërcënim po rritet në qiellin ukrainas.
Rusia po përdor versione të reja të dronëve Shahed, më të shpejtë dhe me motorë reaktivë, duke e bërë më të vështirë interceptimin e tyre.
Sipas Zelenskyt, avionët ukrainas F-16 dhe MiG po përdoren për të rrëzuar një pjesë të konsiderueshme të këtyre objektivave, por rezervat e municioneve mbeten një problem.
Ukraina po teston gjithashtu dronë interceptues dhe pret sisteme të reja të mbrojtjes ajrore me kosto më të ulët./abcnews.al


