Bashkia e Tiranës dhe USAID përurojnë dhomën e serverave të UKT dhe softuerin e ri

schedule13:25 - 1 Shkurt, 2018

schedule 13:25 - 1 Shkurt, 2018

Qytetarët e Tiranës do ta kenë më të lehtë pagesën e faturës së ujit në të gjitha bankat dhe agjencitë alternative të pagesave, përmes një procesi transparent në faturim, leximin e matësit përmes fotografisë dhe ndërveprimit të menjëhershëm me sistemin. Kjo risi në kompaninë e Ujësjellës-Kanalizimeve vjen si një lehtësim për shërbimin ndaj qytetarëve.

Kreu i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, i shoqëruar nga Përfaqësuesja e USAID në Shqipëri, Catherine Johnson, mori pjesë në përurimin e Dhomës së Serverave të UKT dhe softuerit të ri, i cili do të sjellë përmirësim në monitorimin e të gjitha depove kryesore, sistemin Scada dhe menaxhimin e impiantit të Bovillës.

“Kemi bashkuar energjitë dhe financat tona, për t’i siguruar UKT dhomën më të sofistikuar të serverëve. Ky është një investim afatgjatë, për t’u siguruar që jo vetëm rrjeti i ujit zhvillohet, por edhe rrjeti i teknologjisë, i informacionit dhe i gjithë databazës sonë dhe gjithashtu mban hapin e investimeve në Ujësjellës. Më vjen mirë që falë ndihmës shumë bujare të USAID-it, kemi investuar rreth 1 milionë dollarë për këtë dhomë serverash, duke kthyer ujësjellësin e Tiranës nga epoka e letrës së bakallit, në një sistem të sofistikuar që mbledh jo vetëm faturat e ujit, por edhe taksat e Bashkisë”, tha Veliaj.

Ai vlerësoi vendimin e qeverisë për të zgjatur edhe me një muaj afatin e vetëdisiplinimit të konsumatorëve familjarë, duke u dhënë atyre më shumë kohë në dispozicion për të përfituar nga mundësia e rivendosjes vullnetare në kushtet e ligjshmërisë. “Besoj se vendimi i kryeministrit ishte një vendim i drejtë, për t’u dhënë të gjithë qytetarëve të Shqipërisë edhe një muaj kohë, pra edhe muajin shkurt, për të pasur mundësi që të lidhin sahatin, të lidhin kontratën me Ujësjellësin. Duhet të pranojmë që uji është pronë, pasuri e përbashkët e të gjithëve. Askush nuk mund ta vjedhë, ta shpërdorojë, sepse praktikisht po ia heq këtë mundësi dikujt tjetër që e paguan. Ndaj, dua të ftoj të gjithë qytetarët të shfrytëzojnë hapësirën e shkurtit që ofroi kryeministri, për të nxituar, duke shkurtuar radhët dhe duke përdorur të katër këto javë për të mbyllur kontratat e reja”, u shpreh ai.

Kryebashkiaku u shpreh besimplotë se edhe ajo pakicë që deri më tani nuk ka lidhur një kontratë të rregullt me UKT dhe i është shmangur pagesave, do t’i përgjigjet thirrjes për rikthimin e ligjshmërisë në konsumin e ujit të pijshëm. “Kush ka vendosur të jetojë në Tiranë, ka pranuar se këtu i respektojmë rregullat, kontratat shtetërore. Në Tiranë, nuk do të vjedhim pronën publike dhe ashtu si mbi 90% e popullsisë së Tiranës, e cila i paguan të gjitha faturat e detyrimet, besoj se edhe ai 10% që ka mbetur, në vend që të penalizohet, do të ofrohet vetë vullnetarisht”, deklaroi Veliaj.

Ai e cilësoi të shkëlqyer situatën e menaxhimit të ujësjellës kanalizimeve krahasuar me 3 vite më parë, ndërkohë që shumë shpejt pritet që të lidhet edhe marrëveshja e kredisë me BERZH-in, që do t’i hapë rrugë investimeve të rëndësishme në gjithë rrjetin e ujësjellës kanalizimeve në kryeqytet. “Ne, bashkë me USAID dhe BERZH, me të cilin presim të lidhim një marrëveshje kredie për investimet, do bëjmë maksimumin që cilësia e shërbimit dhe profesionalizmi i kompanisë sonë, të jetë në nivelin më të lartë dhe presim që edhe qytetarët ta mbështesin këtë nismë. Kur secili respekton pronën publike, asetet tona të përbashkëta, mund të kemi një qytet që funksionon për të gjithë. Bizneset, grosistët e ujit që prodhojnë pije freskuese, duhet të jenë të parët dhe pastaj sigurisht deri tek familjari i fundit”, tha Veliaj, ndërsa theksoi se ambicia është furnizimi me ujë të pijshëm 24 orë në ditë, brenda 5 viteve i qytetarëve dhe ofrimi i një shërbimi profesional ndaj tyre.

“Më vjen mirë që këtë vit do të kemi investime madhore, sidomos në zonën e Astirit, në Unazën e Re, ku patëm edhe krizën prej thatësirës, dhe pas atyre investimeve, do të vazhdojmë në nivel kapilar, për të mbajtur premtimin tonë, që brenda 5 viteve, të kemi një Tiranë me 24 orë ujë të pijshëm, jo me fjalë, por me investime. Sot, ky është një hap i parë, por jo i fundit, për të modernizuar totalisht ndërmarrjen tonë”, tha Veliaj.

Përfaqësuesja e USAID-it, Catherine Johnson, deklaroi se një nga gjërat që japin shpresë për Shqipërinë janë reformat që po ndërmerren dhe se njerëzit po i mirëpresin ato. “Jam shumë e kënaqur të shikoj punën e mrekullueshme që po vazhdon këtu dhe bashkëpunimin fantastik midis USAID-it dhe qytetit të Tiranës. Një nga gjërat që vazhdon të na japë vërtet shpresë për Shqipërinë janë reformat e mrekullueshme që janë në proces dhe se si vetë njerëzit po i mirëpresin këto reforma dhe se si njerëzit e shikojnë se sa emocionuese është të jesh në vendin tuaj gjatë kësaj kohe. Kjo lloj mbështetje, këto lloj reformash janë ekzaktësisht ato që duhen për të siguruar se e ardhmja e shqiptarëve është e sigurt”, nënvizoi Johnson.

Falë këtij projekti që është mbështetur edhe nga USAID-i, synohet përmirësimi i mbledhjes dhe i ruajtjes së të dhënave dhe i faturimit të konsumatorëve. Më parë sistemi i faturimit përpunohej nga një aplikacion me programim të vjetëruar, i cili ishte i paharmonizuar dhe krijonte vështirësi për njehsimin e të dhënave dhe shërbimeve të tjera./abcnews.al