Rikthehet Kupa e Shqipërisë. Sot luhen shtatë ndeshjet e para të raundit të 1/8, ndërsa nesër zhvillohet dueli Bylis-Laçi. Të gjitha përballjet nisin në orën 14:00. Partizani udhëton drejt Lezhës për të luajtur me Besëlidhjen, një ekip që ka dhuruar surpriza në këtë kompeticion.
Tirana do të tentojë të zgjasë serinë e fitoreve radhazi dhe sot ndeshet me Kastriotin në Fushë Krujë. Fituesit e vjetshëm, Kukësi do të ketë një sfidë në Lushnje përballë lagunarëve, aty ku do të tentojë të mbyllë llogaritë e kualifikimit në çerekfinalen që në ndeshjen e parë.
Vllaznia pret në Shkodër Flamurtarin, njësoj si pak ditë më parë në kampionat, ndërsa Teuta do të ketë një derbi kundër Erzenit. Besa është rivali i Skënderbeut në këtë raund, ndërsa dueli i mbetur luhet në Fier midis Apolonisë dhe Luftëtarit. /abcnews.al