“Takimi me Kancelaren ishte pozitiv”. Kështu u shpreh kryeministri Rama përmes një video-mesazhi në facebook pasi kishte takuar në Berlin kancelaren Angela Merkel. Sipas tij, Merkel është shprehur pozitivisht për nismën e tij që e quan paketa “anti-KÇK”.
“Pastrimi i drejtësisë nga të korruptuarit dhe krijimi i SPAK-ut për Kancelaren janë rezultate kuptimplota që japin shpresë. Ajo u shpreh shumë pozitivisht për ligjin special kundër krimit të organizuar dhe amendamentet speciale anti-KÇK që do të hyjnë në fuqi ditët e ardhshme pas konsultimeve përfundimtare me ekspertët ndërkombëtarë”, shprehet ai.
Sakaq, ai ka besim se do të realizohet kërkesa e vendit tonë për të njohur lejet e drejtimit të automjeteve në Gjermani.
“Shumë shpejt do të vijë një grup nga Ministria e Transporteve gjermane për të bërë përputhjen e dokumentacionit. Këtë herë them se është e realizueshme sepse kam një mik të fortë”, shprehet Rama.
Sipas tij, vizita në Gjermani ishte e suksesshme jo vetëm për ndihmën që ky vend do të japë në konferencën e donatorëve për ndihmat pas tërmetit, por edhe në kahun e hapjes së negociatave me Bashkimin Europian, dhe marrjen e fondeve shtesë nga programet e BE-së për rindërtimin e ekonomisë në sektorët e prekur nga tërmeti.