Nëse nuk do të caktohet data e zgjedhjeve të përgjithshme dhe vendore pas miratimit të reformës zgjedhore, opozita do t’ju rikthehet protestave masive.
Paralajmërimi ka ardhur nga nën kryetari i Partisë Demokratike Edmond Spaho, i cili ishte i pranishëm në aktivitetin e organizuar për 29-vjetorin e krijimit të PD-së në Mirditë. Sipas Spahos opozita është e angazhuar për të miratuar reformën zgjedhore brenda 15 marsit.
“ Nuk kemi iluzione që Edi Rama nuk dëshiron zgjedhje të parakohshme, ashtu si zvarriti procesin gjatë fundit të vitit të kalaur ashtu do ta zvarrisë edhe këtë që sapo kemi filluar. Jemi të gatshëm ti përgjigjemi me të gjitha mjetet e duhura. Protestat do të jenë rruga që do të na shoqërojë nëse pas 15 marsit nuk caktohet data e zgjedhjeve të parakohshme”, tha Spaho.
Anëtari i kryesisë së demokratëve, Tomorr Alizoti i bëri thirrje dinjitetit të mirditorëve duke kërkuar reagim të fortë kundër Ramës.
“E kemi parë Edi Ramën, nuk e kam në tip por do ta them, çunin e Kristaqit e kemi parë, është i ushqyer, i pastër, por është banal sepse nuk ka traditë. Vjen nga vrasja, nuk dua t’ju bëj leksion, por ngrijeni kokën lart si mirditorë dhe ti themi çunit të Kristaqit që ti je banal si baba jot”, deklaroi Tomorr Alizoti.
Ndërkohë kreu i Forumit Rinor, Belind Këlliçi i kërkoi të rinjve të zgjojnë shpirtin e revoltës.
“Problemi është se Edi Rama nuk do rrëzohet nga një ndodhi jashtëtokësorë. Edi Ramën do e rrëzojë Partia Demokratike, do e rrëzojë rinia e këtij vendi”, tha ndër të tjera Belind Këlliçi.
29-vjetori i Partisë Demokratike në Mirditë bëri bashkë themelues, kontribues e anëtarë të kësaj force politike, ndërsa u kërkua angazhim maksimal i strukturave për tu përgatitur për zgjedhje./abcnews.al

