Tirana është pretendente për titullin kampion! Bardheblutë kryeqytetas bënë një start të shkëlqyer të sezonit dhe dukej se gjithçka po shkonte mirë për Ardian Memën. Megjithatë, nga fundi i aventurës së tij në krye të pankinës, Tirana pati një rënie dhe Ahmataj mori drejtimin e skuadrës. Aventura e këtij të fundit zgjati shumë pak dhe dukej se do të ishte një tjetër sezon poshtë pritshmërive për ekipin kryeqytetas.
Megjithatë, timonin e skuadrës e mori Emanuel Egbo dhe Tirana duket e rilindur. Pesë fitore radhazi në po kaq sfida për Egbon, i cili duket se po merr më të mirën nga të gjithë lojtarët e mundshëm. Madje, trajneri i ri bardheblu nuk ka pasur as shërbimet e Edon Hasanit, që po vuan nga një dëmtim në gju.
Të gjithë lojtarët e Tiranës duken në harmoni të plotë mes njëri-tjetrin dhe me teknikun Egbo. Këtë gjë e konfirmon dhe shpërndarja e golave në kampin kryeqytetas. Sulmuesi kryesor i skuadrës, Michael Ngoo, ka arritur të gjejë ritmin dhe ka shënuar 6 gola deri më tani në Superiore. Në të njëjtën kuotë golash, qëndron edhe Edon Hasani, me mesfushorin që bëri një fillim sezoni thuajse perfekt.
Në podium, është edhe mesfushori tjetër, Idriz Batha. Një nga afrimet më të suksesshme të Tiranës në vitet e fundit, Batha ka shënuar 5 gola këtë sezon në Superiore, dy prej të cilëve erdhën në sfidën e fundit kundër Luftëtarit, të dy supergola. Talenti Muçi, Halili, Ëilful Cobbinah dhe Dunga kanë shënuar nga 3 gola, një shpërndarje e mirë golash për sulmues të cilët nuk janë titullarë.
Torassa dhe Cale, të cilët janë në zemër të çdo aksioni bardheblu, kanë shënuar nga dy gola, ndërsa Hoxhallari me një gol, është golashënuesi i fundit. Në 19 javë kampionat, Tirana ka shënuar plot 34 gola (19 të shënuar në shtëpi, 15 në transfertë). 30% e këtyre 34 golave, janë shënuar në 15 minutat e fundit të sfidave (75′ – 90′).
Skuadra e Laçit ka shënuar 28 gola dhe ka sulmin e dytë më të mirë në Superiore, ndërsa Kukësi ka sulmin e tretë me 27 gola. Fitorja më e thellë e Tiranës këtë sezon ishte pikërisht ajo e kësaj jave kundër Luftëtarit, sfidë ku triumfuan 5-1. Tirana aktualisht mban vendin e dytë në stërvitje, me 34 pikë, vetëm një pikë më pak se Kukësi kryesues./abcnews.al