“Jam i pari, u habita kur lexova që rrezikoj shkarkimin”, Duro “i prek” të gjitha

schedule10:34 - 27 Janar, 2020

schedule 10:34 - 27 Janar, 2020

Kukësi mposhti Partizanin dhe ruajti kreun e klasifikimit dhe normalisht në kampin verilindor janë të kënaqura. Gjithsesi është herët për të festuar dhe këtë ua kujton të gjithëve trajneri Shpëtim Duro. Në emisionin “Zona Gol” në Supersport ai u shpreh:

“Sigurisht që jemi mirë, pasi jemi në vend të parë. Gjithsesi duhet të kemi parasysh që ka kaluar vetëm gjysma e kampionatit dhe ka ende shumë punë për të bërë. Morëm një fitore shumë të bukur, veçanërisht për faktin që erdhi përballë kampionëve në fuqi të kampionatit”.

Takimi me Partizanin u luajt në një impiant modern dhe Duro nuk e fsheh që do donte të luante aty, por kjo nuk është diçka e lehtë. “Është një impiant fantastik dhe për më tepër është në kryeqytet, çka bën të vijnë më shumë tifozë sesa në Elbasan, ku jemi jetim. Megjithatë vlen të peshohet edhe ana financiare, llogari të cilat unë nuk i di mirë”, shtoi Duro.

 

Trajneri i Kukësit ka komentuar edhe golin e shënuar nga Abazaj:  Aty shihet qartë që këmba e majtë e Belicës është te vija fatale dhe rrjedhimisht këmba tjetër i bie të jetë shumë më brenda portës. Gjyqtari mbrapa portës kishte një pamje shumë të qartë dhe besoj që dha vendimin e duhur. Unë kam biseduar me shumë njerëz dhe të gjithë janë dakord që ishte gol”.

Duro ka komentuar edhe në lidhje me presionin që ka Kukësi, raportin me presidentin Safet Gjici, gjobat dhe rrezikun e largimit të tij. “Unë kam 6 muaj që punoj te Kukësi dhe jam shumë i qetë, bashkë me skuadrën. Presidenti ka angazhimet e tij dhe ne kemi kontaktuar vetëm 3-4 herë bashkë, pasi edhe në kompleksin stërvitor ai nuk ka ardhur thuajse asnjëherë”, thotë tekniku. .

Më tej ai shton:  Unë jam mjaftueshëm i aftë për të menaxhuar vetë skuadrën dhe rrallë kërkoj ndërhyrjen e presidentëve. Dua të theksoj se kam pasur marrëdhënie të mirë me të gjithë presidentët që kam punuar dhe kjo konfirmohet me faktin që më kanë rikthyer 2-3 herë në punë.

 

Edhe me Gjicin kemi kontakte të rralla, por kam qenë i qetë në punë, pasi dihen objektivat e Kukësit dhe nuk ka nevojë për ultimatume. U ndjeva i habitur kur pashë lajmin që rrezikoj shkarkimin, pasi nuk e di nga dalin këto zëra.

Unë jam në vendin e parë dhe mbi të gjitha jam brenda objektivave, ndaj nuk ka arsye për të qenë në diskutim. Të gjithë skuadrat janë nën presion dhe kjo shihet edhe nga fakti që të gjithë po i ndërrojnë trajnerët”.

I mërzitur Duro u shfaq për lajmet e dala që lidheshin me rrezikimin e pozicionit të tij në krye të Kukësit. “Neve zyrtarisht nuk na ka ardhur asnjë vendim për gjobë dhe nuk e di nga dalin këto lajme. Problemi ynë i vetëm është ai i fushës, pasi kemi një ambient shumë të ftohtë në Elbasan, por ky është kapitull i mbyllur”, ka përfunduar Duro. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!