Koalicioni qeverisës në Greqi duket se nuk mbështet mënyrën se si Athina po drejton negociatat për sa i përket çështjes së emrit të Maqedonisë. Panos Kamenos, u shpreh se partia e tij, pjesë e koalicionit qeverisës nuk do të pranonte një marrëveshje që do lejonte shtetin ballkanik që të përdorte emrin Maqedoni.
Mediat greke raportojnë se burime nga qeveria konfirmuan se e ardhmja e koalicionit mes Syrizës së Tsipras dhe grekëve të pavarur të Kamenos nuk vareet vetëm nga negociatat për çështjen e emrit të Maqedonisë. Gjithsesi deputetët e Anel nuk përjashtojnë mundësinë se dhe mund të kundërshtojnë në parlament një marrëveshje që nuk do e konsideronin të duhurën për vendin.
Por deklaratat e përsëritura të Kamenos se termi Maqedoni nuk mund të përdoret për asnjë arsye, ka shkaktuar jo pak pakënaqësi në radhët e Syrizës. Presidenti grek Pavlopoulos deklaroi se Shkupi nuk mund të anëtarësohet në NATO nëse do të vazhdojë të pretendojë diçka që nuk i takon, një gjë e tillë sipas tij do të ndodhë vetëm kur të jetë zgjidhur përfundimisht çështja e emrit./abcnews.al