Duro: Disa futbollistë mendojnë se janë dikushi, ja kush e anuloi golin

schedule16:21 - 22 Janar, 2020

schedule 16:21 - 22 Janar, 2020

Kukësi nuk e nisi siç pritej vitin 2020 dhe la dy pikë në Gjirokastër. Të mos ishte për gabimet e arbitrit, Luftëtari mund ta kishte fituar ndeshje, teksa Shpëtim Duro, trajneri i Kukësit, analizoi ndeshjen në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport.

NDESHJA – “Të arrish fitoren duhet sakrificë dhe agresivitet në momente të veçanta. Pjesa e parë ka qenë jashtë pritshmërive të mia. Në pjesën e dytë luajtëm, dominuam, por nuk arritëm të shënojmë ndaj një kundërshtari që tregoi se futbolli është i çuditshëm. Edhe skuadrat me të rinj të krijojnë probleme. E kisha frikë, ja u thashë edhe lojtarëve, mendohej që ishte ndeshje e lehtë. Një barazim që nuk ka justifikim për ne”.

KRITIKAT – “Të gjitha ekipet kryesuese kanë hasur vështirësi me këto skuadra, jo vetëm ne. Ishte hap i gabuar, i papranueshëm. Futbolli nuk ka diferenca, duhet të fitohet në fushë jo me deklarata. Janë disa futbollistë që mendojnë se janë dikushi, por duhet të jesh serioz dhe profesionist për të fituar ndeshjen. Sot mund të ketë shumë futbollistë te Luftëtari që mund të afirmohen në të ardhmen si Abazaj dhe Rroca”.

FRIKA – “Topin e kishim në zotërim, nuk diskutohet. Ka pasur momente që e kemi kontrolluar shpejt me dalje në krah, por edhe momente që e qarkulluam ngadalë. E kisha pak frikë sot, terreni ishte i keq në raport me miqësoret që kishim zhvilluar. E ndjeja që nëse nuk do e zgjidhnim me gol do kishim vështirësi përballë një skuadre në mbrojtje dhe terrenit të keq. Frika rezultoi siç e mendoja”.

NDESHJA MË E DOBËT? – “Nuk jam dakord, çdo ndeshje ka historinë e saj. Janë këto fodullë që e kanë çuar Kukësin këtu. Kanë klasin e tyre, por do i kritikojmë për ndeshjen e sotme. Janë futbollistë cilësorë, kanë meritë, por përgjegjësi kanë, edhe pse nuk kemi tifozët nga afër. Nuk ishte ndeshja më e dobët, skuadra luajti, nuk mund t’i ul vlerat e saj. Gjithsesi, nuk ka justifikim kur del barazim në një ndeshje që duhet ta fitonim”.

GOLI I ANULUAR – “Normalisht siç na kanë penalizuar edhe ne, janë gjëra që ndodhin në futboll. Gjyqtari kryesor gaboi me shenjën e dorës, por akordoi faull që në momentin e parë”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!