Studentët bojkotuan mësimin: Nuk është zbatuar “Pakti për Universitetin”

schedule14:38 - 22 Janar, 2020

schedule 14:38 - 22 Janar, 2020

Një grup studentësh bojkutuan mësimin gjatë së mërkurës dhe protestuan para Universitetit Politeknik pasi sipas tyre Pakti për Universitetin nuk është zbatuar. Studentët theksuan se për sa kohë qeveria nuk do zbatojë kërkesat e tyre, ata do t’i rikthehen sërish protestave në javët në vijim.

Një grup studentësh nga Universiteti i Tiranës bojkotuan mësimin dhe iu rikthyen protestave rreth 13 muaj pas protestave masive të dhjetorit të 2018.

Studentët u shprehen se “Pakti për Universitetin” i miratuar nga qeveria nuk është zbatuar, duke renditur dhe një sërë problematikash si përgjysmimi i tarifave të studimit apo edhe kushtet në konvikte

“Kushtet nuk kanë ndryshuar, tarifat janë shumë të shtrenjta. Asnjë pikë e paktit nuk është ndryshuar”, shprehen studentët.

“Pakti për Universitetin ishte një gënjeshtër totale. Karta e studentit nuk më hyn në punë për asgjë”, thotë një tjetër student.

Gjatë protestës së zhvilluar pranë Universitetit Politeknik nga studentë të fakulteteve të ndryshme, studentët theksuan se do mblidhen sërish në protesta.

“Ne do të bëjmë të pamundurën që kjo protestë të mos mbarojë këtu, por të vijë me ndryshime të mëdha”, u shprehën studentët.

Në fund të protestës paqësore e cila zgjati rreth 1 orë studentët nisën mbledhjen e firmave për rrëzimin e Ligjit të Arsimit të Lartë, pasi sipas tyre nuk i shërben aspak studentëve./abcnews.al