Maqedoni/ Amendamentet e opozitës bllokojnë Ligjin e Gjuhëve

schedule19:49 - 29 Janar, 2018

schedule 19:49 - 29 Janar, 2018

Amendamentet e propozuara nga VMRO-DPMNE kanë bërë që ligji për përdorimin e gjuhëve në Maqedoni të ngelet pezull. Kështu, pas një seri shtyrjesh, rendi i ditës në seancën e kësaj të hëne në parlamentin maqedonas ka vijuar me çështje të tjera.

Sipas mediave lokale, shkak për bllokimin është bërë procesi i përkthimit të amendamenteve, rreth 35 mijë e 570, nga të cilat janë përkthyer vetëm 10 mijë. Para seancës, kryeministri Zoran Zaev njohu të drejtën e opozitës për të sjellë amendamente, por shprehu shqetësimin se ato do të bllokonin punën e Parlamentit.

Ndërsa deputeti i VMRO-së, Ilija Dimovski akuzoi kryetarin Talat Xhaferi për shkelje të rregullores sa i takon çështjes së amendamenteve. Nga ana e tij, Xhaferi u shpreh i gatshëm të punonte pa ndërprerje derisa ligji i gjuhëve të kalonte. Ndërkohë, jashtë selisë së Parlamentit, një grup qytetarësh protestuan kundër ligjit të gjuhëve dhe ndryshimit të emrit kushtetues, si dhe vijuan të mbledhin firma kundër qeverisë së Zaev./abcnews.al