Sulmi me thikë ndaj mjekut të njohur Ali Refatllari në vitin 2008 bëri bujë në opinionin publik jo vetëm për shkak të krimit, por se autor ishte një person tepër problematik që kishte kryer vepra të ngjashme edhe më parë.
Arben Strazimiri qëlloi me thikë mjekun për t’u hakmarrë për vdekjen e të afërmit të tij gjatë një operacioni nga mjeku Refatllari.
Ai u kap vetëm pak metra nga vendi ku qëlloi mjekun dhe pikërisht këtu fillon kalvari i gjyqeve që sëfundmi kanë përfshirë edhe vetë shtetin shqiptar.
Madje edhe pse kreu një krim dhe u dënua për të, Shqipëria duhet t’i paguajë Arben Strazimirit plot 15 mijë euro në formë dëmshpërblimi për trajtim jonjerëzor në burg, raporton abcnews.al.
Vendimi është dhënë nga Gjykata e Straburgut sëfundmi dhe është zbardhur ditën e sotme ku i kërkohet shtetit shqiptar të dëmshpërblejë Strazimirin për shkak se dënimin për krimin ndaj Refatllarit ai e kreu në një burg dhe jo në një spital psikatrik siç kishte kërkuar, raporton abcnews.al.
Historia nis gjatë gjyqit ndaj Strazimirit, ku ai kërkoi që të trajtohej në një spital psikatrik duke pretenduar se kishte probleme psiqike. Por, gjykata nuk e ka marrë parasysh këtë kërkesë duke vendosur që dënimin ta kryejë në një burg normal.
Pas këtij vendimi, Strazimiri e ka çuar çështjen në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut duke fituar atje kundër shtetit shqiptar.
Pas bërjes së verifikimeve, gjykata ka konstatuar se Shqipëria nuk ka institucione të posaçme ku mund të vuajnë dënimin persona me probleme psiqike.
Dërgimi i tyre në burg sipas gjykatës është një shkelje e të drejtave të njeriut, ç’ka bëri që ta dënojë Shqipërinë me 15 000 euro, të cilat duhet t’i paguhen pikërisht Arben Strazimirit. /abcnews.al