Ledio Pano, ish-mesfushori i Partizanit, pjesë e klubit të kuq, i ftuar në emisionin “Pressing” në ABC News, ka folur për tema të ndryshme. Nuk lihet mënjanë edh Kukësi i drejtuar nga Shpëtim Duro dhe Pano thotë: “Kukësi nuk ishte i ndërlidhur në fillim kështu, si tani. Lojtarët janë njohur dhe janë ndërthurur.
Gavazaj dhe Abazaj me kalimin e ndeshjeve u futën në grupin e lojtarëve të tjerë. Grupi është cilësor, sulmi është shumë i mirë. Ka kapitenin Musolli, nga më të mirët në kampionat. Prapavija lë pak për të dëshiruar. Vendin e parë s’ke ku e shan. Por kur ke një sulm si Kukësi, prapavija do vuajë”. Më tej ai foli për rivalitetin për titull.
“Katër skuadrat kanë presionin më të madh, me Partizanin në krye. Kukësi ka ekipin më të mirë, sa është i pari. Kemi një Bylis në rritje, që askush nuk e mendonte të dytin. Teuta nuk ka presion, s’ka pasur kurrë. Nuk e ka pasur peshën për të luftuar për titullin. Mjaftohej me Europën, edhe pse luftonte deri në fund”, u shpreh Pano.
Ish-mesfushori analizoi më pas Partizani dhe nuk mungojnë kritikat: “Prisja shumë më tepër nga Partizani, duhet të ishte më kompetitiv dhe më i forcuar nga vjet. Nuk më ka lënë shije të mirë Partizani i gjysmës së parë. Gjithsesi, me ndërrimin e trajnerit, pres të ketë një ndryshim nga të gjitha anët.
Logjikisht, lind pyetja pse nuk jam optimist: Sepse Partizani nuk ka treguar rritje në lojën e saj. Prisja shumë më tepër. Me fitimin e titullit besoja se do shkonte çdo gjë për mirë. Partizani e kishte stafin që solli titullin, jo spekatkolar, por që kishe qejf ta shihje. Prisja të bëheshin ndërhyrjet e duhura me po atë trajner, jo kaq të mëdha, por cilësorë.
E kam te mentaliteti se si një Partizan duhet të ndërtohet. Pa diskutim që kam spekticizëm. Nuk e kam me Sormanin. Kam parë dy miqësore dhe nuk kam mbetur i kënaqur me lojën. Prisja më shumë, prisja ndryshim. Nuk e pashë. Prapë kampionati këtu është tjetër. Nesër është një test që do të tregojë nëse Partizani është i gatshëm të luftojë me rivalët për titullin”.
“Sormanin e kemi parë para dy vitesh. Nuk ka treguar ndonjë nivel të mirë. Iku për mungesë rezultatesh. Ndaj thashë që nuk jam optimist. Bën stërvitje të shkëlqyer, por mendimin tim nuk e lexon mirë ndeshjen. Duhet ta lexojë që të jetë sa më efikas. Është mendimi im ky dhe nuk e ndryshoj dot”, tha Pano. / abcnews.al