Prokuroria kosovare nuk ka asgjë konkrete për zbardhjen e vrasjes së liderit serb Oliver Ivanoviç. Ndërkohë, partia e të ndjeri është ankuar për ngecjen e hetimeve.
Mediat kosovare shkruajnë se prokuroria nuk ka ende asgjë konkrete në zbardhjen e vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviç. “Po punohet intensivisht në zbulimin e autorëve të kësaj vrasjeje. Kur të kemi rezultatet të reja, publiku do të njoftohet”, ka thënë për Televizionin KOha zëdhënësi i Prokurorisë së Shtetit, Ekrem Lutfiu.
“Kanë kaluar shumë ditë pas vrasjes së liderit të Iniciativës Qytetare SDP, Oliver Ivanoviç, opinioni, familja e kolegët e partisë së tij nuk kanë asnjë informatë se deri ku kanë shkuar hetimet”.
Kështu ka thënë zëvendëskryetarja e partisë SDP, Ksenija Bozhoviç, e cila shtoi se që nga dita e vrasjes e vetmja përgjigje deri më tani është se “hetimet po vazhdojnë”.
Ajo tregon për mediat serbe se është marrë në pyetje dhe i është kërkuar që të mos pengojë hetimet. Bozhoviç thekson se do të vazhdojë presionin ndaj policisë së Kosovës dhe gjykatave lidhur me zbardhjen e plotë të ngjarjes. Ajo veçanërisht thekson se është e pakuptueshme ajo që askush nga bashkësia ndërkombëtare deri më tani nuk e ka trajtuar këtë rast.
“Përse hesht KFOR dhe EULEX, përse hesht Ambasada Amerikane për deklaratën e lëshuar para vrasjes”, shton zyrtarja e partisë së iniciativës qytetare SDP, e cila kërkon që të informohet populli se nga kush kërcënohet, çfarë janë kërcënimet dhe çfarë rreziku i kanoset./abcnews.al