Çifti që vendosi të tërhiqej nga detyrimet mbretërore për të bërë një jetë të zakonshme, do duhet të kthejë mbrapsh rreth 2.4 milionë sterlina të taksapaguesve britanikë që i përdorën për të rikonstruktuar rezidencën e tyre.
Pak ditë pas takimit në të cilin Mbretëresha Elizabetë e II pranoi të respektonte vullnetin e nipit të saj Harry, sovrania dikton rregullat e tërheqjes së pa precedent nga familja mbretërore e kërkuar nga djali më i vogël i Charlsit e Dianës.
Pas shumë muajsh bisedime dhe diskutimeve më të fundit, mbretëresha shprehet e kënaqur që është gjetur një rrugë konstruktive dhe mbështetje për nipin e saj dhe familjen e tij, thuhet në një komunikatë të shpërndarë nga pallati mbretëror, që reflekton jetesën e re të Dukëve të Suseks, që i është besuar ekspertëve dhe këshilltarëve të oborrit mbretëror.
Përveçse nuk do marrë më para nga familja mbretërore, çifti duhet të kthejë mbrapsht 2.4 milionë sterlina të kontribuesve britakinë të cilat i kanë përdorur për rikonstruksionin e rezidencës së tyre në Berkshire, që ndodhet pranë kështjellës Winsdor.
Përvec parave, çifti nuk do gëzojë më titujt mbretërorë, e as do përfaqësojnë më formalisht mbretëreshën.
Këto janë pikat kryesore të rregullave që hyjnë në fuqi pranverën e ardhshme.
Në komunikatën zyrtare, shfaqet edhe dobësia e Elizabetës së II për nipin.
“Harri, Megan e Arçi do jenë përherë anëtarët e dashur të familjes sime, i kuptoj vështirësitë që kanë hasur për shkak të presioneve të viteve të fundit, dhe mbështes dëshirën e tyre për një jetë më të pavarur”, thuhet ne deklaratën e Mbretëreshës.
Në komunikatë nuk mungon edhe një mendim për Megan;
“Dua t’i falenderoj për gjithë punën e tyre të zellshme në vend, në zonën e Komonuelthit e më tej. Jam shumë krenare për mënyrën se si Megan u bë kaq shpejt pjesë e familjes”.
Në fund mbretëresha ka edhe një urim për të ardhmen;
“Me shpresën e gjithë familjes sime, që marrëveshja t’u krijojë atyre mundësinë për të krijuar një jetë të re të lumtur e në paqe.”/abcnews.al