Në Shkup ka atmosferë positive sa i përket negociatave me Athinën për zgjidhjen e çështjes së emrit. Ndërsa në Greqi, situata është më e tensionuar.
Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, zhvilloi takim koordinues për çështjen e emrit me presidentin e vendit, Gjorge Ivanov, kreun e BDI-së Ali Ahmeti dhe kreun e VMRO-DPMNE, Hristian Mickovskin. Mësohet se kreu i qeverisë së Shkupit ka informuar pjesëmarrësit në takim rreth propozimeve të ofruara nga ndërmjetsusi i OKB-së për çështjen e emrit, Metju Nimic, dhe konkluzionet nga takimi me kryeministrin grek, Aleksis Cipras, në Davos të Zvicrës.
“Ky proces kërkon përgjegjësi politike me qëllim ndërtimin e konsensusit kombëtar në Republikën e Maqedonisë. Me zgjidhjen e kontestit bilateral që zgjat 25 vjet kemi për qëllim që të sigurojmë përparim në rrugën tonë drejtë integrimit në NATO dhe BE”, tha Zaev pas takimit. Ndërsa presidenti Ivanov nënvizoi se institucionet shtetërore do të mbajnë qëndrim në dobi të interesave të qytetarëve dhe të vendit.
Kryetari i partisë opozitare VMRO-DPMNE, Hristian Mickoski, pas takimit koordinues që zgjati pesë orë, tha se partia e tij mbështet procesin integrues të vendit në BE dhe NATO. Gjithashtu bëri me dije se disa propozime të bëra nga Nimic, janë të njohura për publikun. Një prononcim për mediat pati edhe kryetari i partisë shqiptare BDI, Ali Ahmeti. Ai theksoi rëndësinë e anëtarësimeve euroatlantike dhe bëri thirrje për paqe dhe stabilitet.
Ndërsa në Shkup gjendja dukej shumë e qetë, një gjë e tillë nuk mund të thuhet për Athinën. Kryeministri grek, Aleksis Tsipras mbetet i vetëm në procesin e zgjidhjes së kontestit shumëvjeçar rreth emrit kushtetues të Maqedonisë. Pas takimit të shkurtër e “të ftohtë” koordinues, lideri i partisë më të madhe opozitare, Demokracia e Re, Kyriakos Micotakis tha se nuk janë krijuar kushte për konsensus me partitë tjera politike.
“Dështimi serioz i Tsipras që në mënyrë eksplicite të ndryshojë Kushtetutën e Shkupit I dha fund mundësive për zgjidhjen e çështjes”, u shpreh ai. Gjithashtu nënvizoi se nuk do pranojë një marrëveshje që bashkon Shkupin por ndan Grekët. Ndërsa vetë Tsipras tha se “është pozitive dhe shenjë e vullnetit të mirë ndërrimi i emrit të aeroportit dhe autostradës që lidh dy vendet”.
Ndërkohë, ndërmjetësuesi Nimic, javën e ardhshme, do të qëndrojë në Shkup dhe Athinë për të kuptuar qëndrimet e dy palëve për propozimet e ofruara në raundin e fundit të negociatave në Nju Jork./abcnews.al