Emre Can kërkon minuta, por Juventusi nuk ia premton dot. Konkurrenca te bardhezinjtë është e madhe dhe Sarri nuk e sheh mesfushorin si titullar. 26-vjeçari nuk dëshiron të rrezikojë grumbullimin me Gjermaninë në Euro 2020 dhe është gati të nisë një aventurë të re.
Klube të ndryshme po e monitorojnë situatën e tij, teksa Everton ka hedhur hapin e parë. Anglezja Mirror raporton se Carlo Ancelotti po tenton ta rikthejë lojtarin në Premier League, aty ku luajti për katër sezone me Liverpool.
Everton ka gati 35 milion euro për kartonin e tij, një shumë që plotëson kërkesat e kampionëve të Italisë. Së shpejti pritet të vijë akordi mes palëve dhe gjermani mund të rikthehet sërish në Liverpool, por tashmë në pjesën blu të qytetit të njohur. /abcnews.al


