Nga Shtiqni i Kukësit në Krushë të Vogël të Kosovës, familjet shqiptare kanë probleme të ngjashme, pavarësisht se e kaluara e tyre ka armiq të ndryshëm, në Shtiqën orteku ndërsa në Krushë, forcat serbe.
E përbashkëta është varfëria, kushtet shumë të vështira të jetesës, por edhe fëmijët që japin shpresë dhe optimizëm për të ardhmen.
Gazetarja e Abc News Linda Karadaku ishte në dy familje, në Shtiqën dhe Krushë të Vogël dhe sjell specialen në vijim:
Familjet shqiptare, pavarësisht se ku jetojnë kanë halle të ngjashme, pikë së pari ekonomike, varfëri dhe standard shumë të ulët jetese.
Por ka dicka që nuk mungon kurrë, shpresa dhe lufta për të ardhmen, për fëmijët që rriten duke ëndërruar të bëhen dikushi për vete dhe familjet e tyre.
Rruga nga Kukësi deri në Shtiqën, në lagjen Muje, është e ngushtë, e shtruar me gurë të vegjël dhe të con deri në këmbët e malit Gjallicë, që nuk është gjithmonë kaq paqësor.
Fshati ka qenë dikur i madh, por orteku i 1985 dhe tranzicioni i pas 90-tës e kanë katandisur në pak familje që mund të numërohen me gishtat e duarve.=
Në shtëpitë e fshatit nuk ka ujë brenda, funksionon vetëm një cezmë në rrugë ku mbushin ujë dhe dëbora nuk ka filluar ende. Pothuaj të gjitha familjet jetojnë me ndihma ekonomike dhe në atë ndihmë ekonomike duhet të nxirren te gjitha, buka, ushqimet, ilacet, rritja e fëmijëve.
Naze Muja, 69 vjec, është kryefamiljare dhe jeton me dy djemtë, nusen e njërit djalë, vajzën dhe dy fëmijët e djalit në këtë shtëpi, që nuk është e saj. Orteku i 1985 e kishte dëmtuar shtëpinë e saj dhe ata zbritën poshtë në këtë shtëpi.
Bashkëshorti I ndjerë punonte dikur në uzinën e pasurimit të bakrit. Tani ajo është edhe burrë edhe grua për familjen e saj, që e mban të bashkuar dhe me optimizëm, pavarësisht nga kushtet shumë të vështira ekonomike.
“Kemi frikë, kur bie dëborë se na bllokon. Ujin e marrim tek çezmja aty sipër. Ndodh që nuk ka ujë deri sa të ngrijë kur të bjerë bora“, tregon Naze Muja, 69 vjeçe.
Nusja e shtëpisë po bën byrekun me qepë dhe Nazes i vjen keq që nuk mund të rrimë për ta provuar.
Vajza e saj donte të vazhdonte shkollën në Tiranë për anglisht, por mundësitë financiare nuk e lejuan.
“Doja të shkoja në shkollë për anglisht, por nuk kishim mundësi ekonomike“, shprehet vajza e shtëpisë.
Erlis Shehu është nga Shtiqni dhe merret me ndihmën ekonomike për këta banorë. Ajri I mrekullueshëm dhe pamja hijerëndë e Gjallicës nuk mjaftojnë për të jetuar në Shtiqën.
Fqinja e familjes Muja, plaka Naze e mban mend ortekun e vitit 1985 dhe ende tmerrohet kur e kujton.
Shtiqni nuk është e vetmja zonë me halle. Ecim drejt kufirit, kalojmë Prizrenin, drejt fshatit Krushë e Vogël. Këtu nuk ka vrarë orteku, por njeriu.
103 burra të fshatit Krushë u masakruan nga forcat serbe dhe serbët lokalë gjatë luftës.
Vezire Batusha humbi dy djem dhe burrin. Mbeti e vetme me një djalë me probleme shëndetsore dhe me dhembjen pa ngushëllim.
“U bënë 20 vjet që nuk kam as burrin dhe as djemtë dhe nuk na i kanë gjetur. Të kisha një vend që kur të mërzitesha t’i çoja lule e të shkoja“, tregon Vezirja.
“Ti kishim gjetur sa jam gjallë, ta dija se ku e kanë varrin. Po qaj, por s’di as ku të shkoj“, vijon ajo.
Por shtëpia është mbushur plot. E ka martuar djalin dhe tani ka dy nipër dhe një mbesë.
Në pranverë dhe verë punon në këtë serë bashkë me djalin për të rritur perime që nuk janë vetëm për verë, por edhe për zahiretë e dimrit.
Dy nipat dëshirojnë të bëhen futbollistë ndërsa vajza piktore.
Pak metra larg shtëpisë Batusha është vendi ku janë vrarë 103 burrat e fshatit, mes tyre edhe dy djemtë dhe burri i Vezires. Nipat e saj mbajnë emrat e tyre, duke përjetësuar jo vdekjen, por vazhdimin e jetës. /abcnews.al