UEFA e bën baltë, si e manipuloi formacionin e vitit prej Ronaldos

schedule14:49 - 16 Janar, 2020

schedule 14:49 - 16 Janar, 2020

UEFA krijon polemika të mëdha pas publikimit të formacionit më të mirë të vitit 2019 në Europë. Cristiano Ronaldo u përfshi në ekip, ndonëse mori më pak vota.

Një skandal i vërtetë që vë në dyshim integritetin. UEFA ka ndryshuar skemën e formacionit më të mirë të vitit 2019 dhe kjo për të mos lënë jashtë Cristiano Ronaldon. Drejtuesit e organizatës dhe ata që u morën me këtë çmim, mësohet se nuk respektuan vullnetin e publikut.

Ata lanë jashtë lojtarin e Chelsea, N’Golo Kante, i cili mori më shumë vota sesa portugezi i Juventusit. Me skemën e zakonshme 4-3-3, Ronaldo do të kishte mbetur jashtë, sepse ai mori më pak vota se Lionel Mesi, Sadio Mane dhe Robert Lewandowski, që do të formonin treshen e sulmit.

UEFA bëri ndryshimin në skemën 4-2-4, për të vendosur në fushë katër sulmues, pra për të përfshirë edhe Ronaldon. Në 6 vitet e fundit UEFA përdori gjithmonë skemën 4-3-3, me përjashtim të vitit 2017, kur vendosi për 4-4-2. 4-2-4 nuk ka qenë asnjëherë një formacion klasik.

Një zëdhënës i UEFA-s, sqaroi se ndryshimi i skemës u bë për të vlerësuar arritjen e Portugalisë, që fitoi Ligën e Kombeve, duke pasur si kapiten pikërisht Cristiano Ronaldon, lojtarin që shënoi 3 gola në gjysmëfinalen ndaj Zvicrës.

Lojtari që mori më shumë vota ishte Lionel Messi, i cili arriti nivelin e 2 milionë pëlqimeve nga tifozët në Europë, ndërsa në formacionin e vitit ishin portieri Alison, mbrojtësit Aleksandër-Arnold, De Ligt, Van Dijk e Robertson, mesfushorët De Jong e De Bruyne, si dhe sulmuesit Ronaldo, Messi, Lewandowski e Mane. Liverpuli, kampion i Europës, pati 5 lojtarë, më shumë se çdo ekip tjetër. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!