Zhoze Murinjo shpreson të arrijë suksese të mëdha me Mançester Junajtidin. Trajneri portugez ndihet i privilegjuar që rinovoi kontratën me klubin anglez.
Dëshiron më shumë trofe si ky.
Mançester Junajtidi është skuadra e sotme e Zhoze Murinjos dhe me shumë gjasa do të mbetet e tillë deri në vitin 2020.
Trajneri portugez nënshkroi kontratën e tij të re me klubin e famshëm anglez, i bindur se do të arrijë të jetë aty po aq i suksesshëm sa tek Porto, Çelsi, Interi apo Reali i Madridit.
Kontrata e re mund ta mbajë atë në “Old Traford” deri në 2021-shin, pasi ka një mundësi rinovimi me një sezon tjetër.
“Ndihem i lumtur dhe krenar që jam trajner i kësaj skuadre, – u shpreh ai, – jam i privilegjuar që punoj me këtë grup lojtarësh dhe që drejtuesit e klubit menduan se unë jam trajneri i duhur për ta. Ne po hedhim bazat për një të ardhme të shkëlqyer dhe fituese”.
Edhe klubi anglez pati po këtë reagim, duke deklaruar në Tuiter se “jemi të lumtur që lajmërojmë se Murinjo ka firmosur zgjatjen e kontratës”.
Murinjo ende nuk ka arritur maksimumin me “djajtë e kuq”, edhe pse sezoni i parë solli tre suksese.
Ai fitoi Superkupën e Anglisë, Kupën e Ligës angleze dhe Ligën e Europës, por gjithsesi, ëndrra e madhe mbetet Premier Liga dhe padyshim Championsi.
Do të jetë e vështirë që të fitohet titulli në Angli, me Mançester Sitin shumë të shkëputur, por në Europë edhe mund të triumfohet./abcnews.al