41 vite nga mbytja e 7 aksionistëve, familjarët kërkojnë një përmendore

schedule20:16 - 15 Janar, 2020

schedule 20:16 - 15 Janar, 2020

Në 15 janar të vitit 1979, në ujërat e lumit Shkumbin, 41 vjet më parë u mbytën shtatë 16 vjeçarë aksionistë, që po ndërtonin tarracat në kodrat dhe malet e  Spatharit në Librazhd.

U deshën javë të tëra që trupat e tyre të gjendeshin. Në 15 janar të këtij viti ata përkujtohen nga të afërm të tyre dhe miqtë, të cilët kërkojnë të paktën të ngrihet një përmendore që të kujtohen brez pas brezi. Ndër ta, është Gani Allushi që humbi motrën, Fluturën, dhe ende pa u gjetur trupi i saj e zëvendësoi atë duke vijuar punë i detyruar nga regjimi komunist.

“Motra im ka qenë 16-vjeçe kur e kam nisur në aksion, prindërin nuk ishin dakord”, tregon Gani Allushi.

Ndërsa dëshmitari Faik Balla tregon se si ka ndodhur ngjarja.

“Isha në punë dhe marrim vesh se aksionistët ranë brenda”, thotë Balla.

Koloneli Muhamet Çota, një prej ish ushtarakëve që mori pjesë në  nxjerrjen e disa prej trupave i ka ende të freskëta përpjekjet që bënë duke rrezikuar edhe jetën në atë natë të acartë.

“Vraponim me ushtarë dhe pika më e përshtatshme ka qenë tek ura e Murrashit, jam zhveshur dhe shoh që pas meje u futën disa ushtarë. Kapëm trupa të aksionistëve dhe i kemi sjellë në anë të lumit. Kemi patur vështirësi të jashtëzakonshme. Na është rrezikuar jeta”, shprehet Çota.

Ngjarje të tilla të rënda sistemi komunist i anashkalonte dhe Hekuran Rezhda që ishte funksionar në atë kohë në Degën e Brendshme dëshmon mbi tronditjen që përjetuan për ngjarjen e rëndë.

“Ndër ngjarjet më të hidhura në jetën time. Më të vështirat që kam kaluar. Komiteti Ekzekutiv dhe Byroja e Partisë së rrethit përcaktuan që Komiteti i Rinisë të përgjigjeshin për çështjen e aksionistëve. Kjo ngjarje shkaktoi një shok në të gjithë rrethin e Librazhdit”, tha më tej Rezhda.

Flutura Allushi, Bule Përrenja, Mereme Brahja, Fatime Guga, Naim Elezi, Refie Ceni dhe Ruzhdie Çerri janë adoleshentët që në moshën më të bukur humbën jetën, sapo lanë punën e rëndë për moshën e tyre, duke u mbytur në ujërat e lumit Shkumbin. Disa nga trupat e tyre u gjetën në kohë ndërsa të tjerë u harruan në ujë deri sa banorë të rastësishëm i gjetën pas disa muajsh./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!